Donald Lu: Vetëm reforma e kthen besimin tek drejtësia

Ambasadori amerikan, Donald Lu rideklaroi këtë të martë se reforma gjithëpërfshirëse është një nga mënyrat që e kthen besimin e publikut tek drejtësia.

“Qytetarët shqiptarë të kuptojnë se cilët gjyqtarë e prokurorë janë të korruptuar dhe cilët janë të ndershëm që bëjnë punën e tyre.

Si mund ta fitojnë qytetarët besimin tek gjyqësori, që ai të marrë një vendim të drejtë pa marrë në këmbim një thes me para?

Përmes reformës gjithëpërfshirëse.

Ekspertë nga SHBA, BE dhe KiE kanë investuar në mbështetje të kësaj reforme.

Deputeti Eduard Halimi bëri të ditur se opozita do të marrë pjesë në komisionin e reformës.

Qytetarët duhet të ndihen të sigurtë që ky proces të ecë përpara”, deklaroi Lu.

Ambasadori tha se, mënyra tjetër është përsosja e teknologjisë me anë të të cilës drejtësia do të mund të shënojë edhe zyrtarë të lartë përballë drejtësisë, raporton TCH.

“Neve jo vetëm që na intereson që qytetarët e zakonshëm të marrin drejtësinë prej gjykatësve të tyre, por shpresojmë që përmes reformës në drejtësi dhe teknologjive të reja më shumë kriminelë të dhunshëm, personazhe të krimit të organizuar dhe zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë të dënohen dhe të shkojnë në burg. Shqipëria do të ishte më mirë me më pak kriminelë që lëvizin në rrugët e saj”, theksoi Lu.

Ndërkohë, edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço përshëndeti përfshirjen e opozitës në reformën e drejtësisë. Deklaratat u bënë gjatë inagurimit të Arkivit Qëndror, ku do të ruhen regjistrimet dixhitale audio të seancave gjyqësore. 

SHKARKO APP