Dorëhiqet kryetari i komanduar i Bashkisë së Durrësit
Ka dhënë dorëheqjen kryetari i komanduar i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj. I njohur gjerësisht në rrethin e politikës e sidomos në Durrës, si njeri i afërt i ish-kryetarit Vangjush Dako, që ende ushtron influencën e tij në Bashki dhe në strukturat e PS-së në qytetin bregdetar.
Në kërkesën e tij për dorëheqje, Varfaj shkruan se largohet nga drejtimi i Bashkisë së Durrësit për arsye shëndetësore.
Varfaj u emërua në krye të bashkisë nga Këshilli Bashkiak Durrës pas dorëheqjes së papritur të ish-kryetares Valbona Sako në fillim të dhjetorit, pas tërmetit vdekjeprurës që la 51 viktima dhe qindra të plagosur.
Kërkesa e dorëheqjes
Sot me dt 23.04.2020, Unë Zhuljen Ago Varfaj,
Me detyrë Zëvendës Kryetar i Bashkisë Durrës i emëruar me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës nr-dt- për të ushtruar detyrat si dhe funksionet e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit,
i gjendur para një situate krejtësisht të pafavorshme, madje me rrezik të shtuar për shëndetin tim, parashtroj dhe jap dorhëheqjen time të parevokueshme nga detyra dhe funksionet e ngarkuara.
Do të dëshiroja të falenderoja dhe të vlerësoja me mirënjohje Këshillin Bashkiak të Durrësit për besimin dhe mbështetjen e dhënë nga çdo anëtar i tij, bashkëpunëtore e bashkëpunëtorë të mi të administratës së Bashkisë Durrës, që në këtë periudhë të vështirësive të mëdha për Durrësin kanë dhënë dhe bërë më të mirën e tyre në zgjidhjen e shumë problematikave dhe kërkesave të qytetarëve të Durrësit.
Me respekt, Zv/Kryetar, Zhuljen VARFAJ