Doshi pas takimit me Frrokun: Kam videon e Brahos në Gjermani
Deputeti Tom Doshi ka deklaruar sot për mediat se Prokuroria duhet të marrë kamerat e aeroportit të Hanoverit në Gjermani, ku sipas tij, deputeti Spartak Braho është takuar me vëllanë e Fatjon Skënderit. Ky i fundit, sipas Doshit, është personi që ka kontaktuar vrasësin me pagesë Durim Bani për eliminimin e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi.
Gjatë prononcimit për mediat, Doshi ka ironizuar duke përdorur dhe një shprehje të kreut të Kuvendit Ilir Meta. “Me qetësi dhe dashuri. Rëndësi ka që Prokuroria të hetoj dhe të marrë kamerat e Hanoverit. Unë i kam ato, por duhet t’i marrë dhe prokuroria në rrugë ligjore”, tha Doshi.
Deklarata e Doshit u bë pas takimit me Mark Frrokun, gjatë ditës së sotme në “Sheraton”. Gjatë takimit që ka zgjatur rreth 10 minuta, Frroku tha se është diskutuar vetëm për çështje biznesesh të përbashkëta. Ndërkohë që Tom Doshi ka deklaruar se për atentatin është njoftuar fillimisht nga Mark Frroku. Por Frroku në Prokurori ka dhënë version tjetër, duke thënë se s’ka pasur asnjë djeni për atentatin ndaj kolegut të tij. Nuk dihet nëse takimi sot është ka qenë lidhur me dëshmitë që kanë dhënë në prokuroi. Çështjet e biznese mund të diskutoheshin dhe në mënyra të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

