Dosja 184, PD bën gati ankimimin: Hajdutët e zgjedhjeve të përballen me ligjin!
Partia Demokratike ka vendosur të ankimojë vendimin e Prokurorisë së Dibrës për mbylljen e hetimeve për dosjen 184, duke akuzuar vetëm 4 zyrtarë lokalë. Në një deklaratë për mediat, PD thekson mes të tjerash se “hajdutët e vërtetë të zgjedhjeve duhet të përballen me ligjin, në çdo kohë dhe kushdo qofshin!”
Partia Demokratike do të ankimojë vendimin e Prokurorisë për dosjen 184 të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër. Për këtë arsye, Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë dosjen e plotë 184 dhe vendimin e saj për këtë çështje. Pas kësaj, i hapet rruga ankimimit të çështjes në gjykatë.
Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e bëri kërkesën me cilësinë e kallëzuesit 4 vjet më parë të krimit të blerjes së zgjedhjeve në Dibër. Partia Demokratike theksoi se drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184 dhe pushimin e çështjes për urdhëruesit e manipulimit të zgjedhjeve, duke nisur me Edi Ramën.
“Hetimi, i nisur mbi bazën e kallëzimit të PD zgjati me shumë se 4 vjet, me synimin taktik të paligjshëm për te tejkalusr afatet proceduriale për të shmangur ndëshkueshmërinë e personave, që kanë kryer krime elektorale”- thuhet në kërkesën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD.
PD shpreh edhe një herë bindjen se hajdutët e vërtetë të zgjedhjeve duhet të përballen me ligjin, në çdo kohë dhe kushdo qofshin!