Dosja e Gjirokastrës nxit debat në KAS/ PD: Jeni i njëanshëm, Rusmajli: S’më intimidoni dot
Këtë të mërkurë është mbledhur sërish Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, kjo për të marrë vendimin nësë do të përsëriten zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës. Mes anëtarëve të KAS, Ilir Rusmajlit dhe relatorit Ledio Braho pati një debat, por u përfshi edhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu. Rusmajli kërkon të identifikohen çfarë funksioni, brenda administratës zgjedhore, kanë kryer dy personat që dyshohen se kanë votuar dy herë në qarkun e Gjirokastës.
Ledio Braho: Pavarësisht se kujt force politike janë komisionerët, nuk ka lidhje me hipotezën që hodhët ju. Kam kërkuar që të procedohen penalisht dy komisionerë që kanë votuar dy herë me të njëjtën kartë identiteti në 1 QV të ndryshme. Një qytetar ka votuar në dy qarqe të ndryshme. Nëse ju doni të rrëzoni kërkesën ankimore me fantazi të tilla jeni i hapur ta shpallni që tani.
Ilir Rusmajli: Vendimin për mua do ta merrni ju apo vetë.
Ledio Braho: Do e merrni ju, shpresoj ta merrni sipas ligjit. Hedhja e hipotezave për të kërkuar prova tregon që ka qëllime të tjera dhe nuk është aspak vënia e drejtësisë. Nëse keni qëllim për të bërë drejtësi, kërkoni të procedohen penalisht. Fakti a kanë prapavijë politike këta persona që kanë shkelur ligjin është e patolerueshme.
Ilir Rusmajli: Nëse jemi para një rasti kur provokimi bëhet me votime politike, vlerja e shkeljes është më ndryshme se rasti indivual dhe ne do të çmojmë vlerën e shkeljes në raport me kërkesën për pavlefshmëri.
Ledio Braho: Ne nuk jemi prokurori e as gjykatë. Nuk e vlerësojmë dot ne.
Ilir Rusmajli: Ne nuk mund ta fshehim nën rrogozë.
Marash Logu PD: Ne e kuptojmë zotin Rusmaljin që është sjellë i njëanshëm, por na lini të bëjmë pyetjet.
Ilir Rusmajli: Unë mezi pres të bëj pyetje por ju nuk më intimidoni dot të bëj detyrën time, as ju, as zotëria atje (I drejtohet Ledio Brahos).
Ledio Braho: Nuk ka qëllim intimidimi, por kërkoni të hidhni hipoteza. Nëse doni të hidhni aludime, nisni të merrni në telefon e dëshmi komisionerëve të nxjerrni prapavijën politike, por që këtë proces ta përdorim për të thirrur dëshmitarë komisionerët është e tepërt, të kërkojmë bindjet politike që ju të aludoni.
Ilir Rusmajli: Ka rëndësi se përmes kësaj do të vlerësojmë provat.
Ledio Braho: Nga momenti i emërimit komisioneri ka përgjejësi penale vetjake.
Marash Logu: Do të ishim dakord me kërkesën e Rusmajlit nëse ai nuk do të kishte refuzuar 57 herë kërkesat e subjektit politik për transparencë.