Dosja e Teatrit shkon në Gjykatën Kushtetuese, Presidenca: Të thirren dëshmitarët, na duhet më shumë kohë
Gjykata Kushtetuese po shqyrton këtë të enjte paditë e Presidentit Ilir Meta, për prishjen e Teatrin Kombëtar. Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj kërkon që të thirren artistë dhe ekspertë si dëshmitarë. Prej gati dy vitesh, sipas Dervishajt, institucionet nuk kanë dhënë provat që Presidenti Ilir Meta ka kërkuar, ndërsa disa prova janë vënë në dispozicion në datën 2 qershor, në mëngjes. Për 24 orë, sipas tij nuk mund të analizohen. “E kemi pritur prej dy vitesh këtë seancë. Nuk është marrë në shqyrtim kërkesa për prova shtesë. Kemi 2 vite që kërkojmë prova shtesë dhe ende nuk i kemi marrë. 24 orë nuk mjaftojnë për të shqyrtuar dokumentet, nuk shprehemi në këtë seancë. Vetëm dje Këshilli i Ministrave i ka vënë në dispozicion dokumentet. Ne duam që të njihemi me provat dhe të caktojmë një tjetër seancë”, tha më tej Bledar Dervishaj.
Presidenti kërkon të thirren si dëshmitarë në këtë proces.
1. Erviko Aimi (dhe dy të tjerë), senatorë të Republikës Italiane. “Kemi folë paraprakisht, janë dakord të vijnë këtu, pasi kanë interes për mbrojtjen e trashëgimisë së ndërtimeve të bëra nga italianët” u shpreh Dervishaj.
2. Përfaqësues të Europa Nostra
3. Përfaqësues të KLSH
4. Albana Vokshi që e ka mbrojtur çështjen në Komisionin e Medias
5. Bujar Leskaj, ish kreu i KLSH
6. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë e përfaqësuar nga Voltana Ademi
7. Erjon Veliaj
8. Arbjan Mazniku
9. Toni Gogu
10. Behar Zeneli
11. Artan Lame
12. Artan Shkreli
13. Mirela Kumbaro
14. Elva Margariti
Dervishaj ka kërkuar kohë për tu njohur me provat e reja të sjella nga Këshilli i Ministrave ndërsa i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë si provë shtesë:
1. Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar
2. Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit
3. Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit
4. Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës
5. Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture
6. Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike
7. Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës
8. Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike
9. Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin
10. Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm
11. Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit
12. Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje
13. Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën
14. Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë
15. Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës
16. Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion
17. Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure