Drafti final i Reformës Zgjedhore depozitohet në Kuvend
Pas shumë takimesh të Këshilit Politik, këtë të mërkurë është depozituar në Kuvend drafti final për Reformën Zgjedhore, ndërsa në relacion thuhet se kjo është vetëm faza e parë, pasi puna do të vijojë për miratimin e një ligji të ri zgjedhor që do reflektojë plotësisht rekomandimet e dhëna ndër vite nga OSBE/ODIHR.
Në draftin e ri janë parashtruar të gjitha dakordësimet e arritura në marrëveshjen politike të datës 5 qershor 2020, të nënshkruar ndërmjet mazhorancës qeverisëse dhe partive politike të opozitës jashtëparlamentare dhe asaj parlamentare.
“Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim mundëson dakordësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të radhës, duke garantuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë aktorëve të jetës politike në Shqipëri. Nga ana tjetër, ky konsensus ngrihet me propozime për përmirësime mbi një Kod Zgjedhor ekzistues, i cili është certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë të specializuar në fushën e zgjedhjeve si Kod që respekton praktikat demokratike dhe legjislacionin ndërkombëtar të zgjedhjeve. Gjithsesi, në një sërë zgjedhjesh në Shqipëri janë paraqitur rekomandime për çështje dhe aspekte të veçanta që kanë nevojë për amendime dhe të cilat janë vendosur në planin e punës së Këshillit Politik, dhe të gjithë institucioneve të tjera vendimmarrëse në Shqipëri”.
KOHA JONË SONDAZH

