Drafti i Manjanit më i miri për Këshillin e Drejtësisë dhe zgjedhjen e Presidentit
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
Projektligj
Nr.___/2016
PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 83, pika 1, dhe 177, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e më shumë se një të pestës së anëtarëve të Kuvendit,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Neni 18, pika 2 ndryshon si vijon:
Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, pasurore, identiteti gjinor, orientimi seksual arsimore, origjina sociale, lindja, përkatësia shoqërore, prindërore ose të tjera.
Neni 2
Në nenin 54 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“Interesi më i lartë i fëmijëve zbatohet në të gjitha çështjet që lidhen me ta.”
Neni 3
Neni 61 pika 1 ndryshohet si vijon:
“Avokati i popullit zgjidhet nga Kuvendi me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij, për një periudhë 5 vjecare, me të drejtë rizgjedhje.”
Neni 4
Pikat 1 dhe 3 të nenit 108 ndryshohen si vijon:
“1. Njësitë e qeverisjes vendore janë bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore mund krijohen me ligj.”
“3. Bashkia është njësia bazë e e qeverisjes vendore. Ajo kryen të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyrë që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore.”
Neni 5
Neni 124 ndryshon si më poshtë vijon:
- Gjykata Kushtetuese është autoriteti më i lartë që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
- Gjykata Kushtetuese ka buxhet të veçantë që e administron në mënyrë të pavarur.
Neni 6
Në nenin 125, paragrafët 1 dhe 2 riformulohen me këtë përmbajtje:
“1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë.
- Emërimi i anëtarëve për vendet vakante kryhet nga Presidenti i Republikës, i cili mbledh kandidaturat, sipas propozimit konsensual të grupeve parlamentare. Kandidaturat konsensuale votohen nga Kuvendi.
- Në rast se grupet parlamentare nuk arrijnë të sigurojnë konsensus për propozimet, atëherë Presidenti i Republikës përcjell për votim, për çdo vend vakant, kandidatura alternative, me propozime të përbashkëta ose të vecanta të grupeve parlamentare. Në këtë rast kandidaturat votohen me votim të përbashkët, të fshehtë dhe të drejtpërdrejtë nga deputët e Kuvendit dhe gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor.
- Deputetët dhe gjyqtarët gëzojnë të drejtën e një vote për çdo vend vakant.
- Rregullat për procedurën e votimit përcaktohen në rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit.
- Gjyqtarët zgjidhen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.
- Kandidaturat për anëtarë të GJykatës Kushtetuese duhen të plotësojnë sidomos këto kritere: kandidatët duhet të kenë një përvojë pune si gjyqtar jo më pak se 15 vjetë, ose një përvojë si jurist jo më pak se 20 vjetë si prokurorë, avokatë, pedagogë të së drejtës, punonjës në administratën publike, të mos jenë dënuar më parë, të mos kenë marrë pjesë në aktivitete politike të partive politike, si dhe as të kenë marrë pjesë në organet drejtuese të partive poltike.”
Neni 7
Neni 126 ndryshon si më poshtë vijon:
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij.
Neni 8
Neni 127 ndryshohet si më poshtë vijon:
- Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron në rastet e mëposhtme:
- mbush moshën 70 vjeç;
- b) përfundon mandati 9 vjeçar;
- c) jep dorëheqjen;
ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 128.
- d) në zbatim të procedurave të parashikuar në nenin 179/a.
- Mbarimi i mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
- Plotësimi i vendit vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të krijuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, bëhet sipas nenit 125. Kur mandate i një anëtari të GJykatës Kushtetuese përfundon para afatit, anëtar që zgjidhet në vend të tij qendron në detyrë deri në përfundim të mandatit të anëtarit që u zëvendësua.
Neni 9
Neni 128 ndryshohet si më poshtë vijon:
- Anëtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas procedurës që rregullohet me ligj. Kuvendi me tre të pestat e gjithë anëtarëve të tij, vendos për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese kur:
- a) konstaton shkelje të rënda profesionale dhe etike gjatë ushtrimit të detyrës;
- b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
- c) vërteton faktin e pamundësisë fizike ose mendore për të ushtruar detyrë
- Verifikimi i shkaqeve për shkarkim, behet pas hetimit të tyre nga një komsion i posacëm hetimor të krijuar sipas nenit 77.
Neni 10
Neni 130 ndryshohet si më poshtë vijon:
- Qenia anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës dhe akademik për zhvillimin e doktrinës. Kohëzgjatja e veprimtarisë profesionale të lejueshme si dhe masa e shpërblimit, kundrejt të cilës ajo ushtrohet, parashikohen me ligj.
- Anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të marrë pjesë në aktivitete politike të organizuara nga një parti politike, ose në një parti politike si anëtar i saj.
Neni 11
Neni 132 ndryshohet si më poshtë vijon:
- Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi të përgjithshme, janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
- Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që çdo akt i shqyrtuar dhe gjykuar prej saj të shfuqizohet në një datë tjetër.
- Gjykata Kushtetuese, kur e gjykon të nevojshme, mund të vendosë pezullimin e zbatimit të një akti deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.
- Mendimi i pakicës botohet bashkë me vendimin përfundimtar.
Neni 12
Neni 134 ndryshohet si më poshtë vijon:
- Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:
- a) Presidentit të Republikës;
- b) Kryeministrit;
- c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;
ç) Avokatit të Popullit;
- d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
- dh) Çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute;
- e) Autoritetit Shteteror të Mbrojtjes së të Dhënave Personale;
ë) Autoritetit Shtetëror kundër Diskriminimit;
- f) Këshillit të Larte Gjyqsor dhe Këshillit të Prokurorisë;
- g) Organeve të qeverisjes vendore;
- gj) organeve të bashkësive fetare;
- h) partive politike;
- i) organizatave;
- j) individë
- Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët d; dh, e, ë, f, g, gj, h, i dhe j të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
Neni 13
Neni 136, paragrafi 1, riformulohet me këtë përmbajtje:
“1. Gjykata e Lartë përbëhet nga 17 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
- Vec kritereve dhe procedurave më të detajuara që do të përcaktohen me ligj, kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhen të plotësojnë sidomos këto kritere: kandidatët duhet të kenë një përvojë pune si gjyqtar jo më pak se 15 vjetë, të mos jenë dënuar më parë, të mos kenë marrë pjesë në aktivitete politike të partive politike, si dhe as të kenë marrë pjesë në organet drejtuese të partive poltike.
- Brenda Gjykatës së Lartë krijohen tre kolegje që janë, kolegji civil, kolegji penal dhe kolegji administrativ.
- Procedura dhe kriteret e përzgjedhjes, propozimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, rregullohen me ligj.”
Neni 14
Neni 140, shfuqizohet[1].
Neni 15
Neni 141 riformulohet si vijon:
- Gjykata e Lartë ka si funksion njësimin e praktikës gjyqësore, duke tërhequr për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.
- Në juridiksionin e Gjykatës së Lartë mund të hyjnë edhe cështje të gjykatave më të ulta, por në cdo rast vetëm kur duhet të bëhet njehësimi dhe unifikimi i praktikës gjyqësore.
- Gjykata e Lartë ka juridiksion rishikues, vetëm si mjet i jashtëzakonshëm i ankimit gjyqësor, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.”
Neni 16
Neni 147 riformulohet si vijon:
- Këshilli i Drejtësisë funksionon pranë dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës. Në të marrin pjesë Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Këshilli i Drejtësisë bën planifikimin strategjik të sistemit gjyqësor dhe atë të prokurorisë, shqyrton dhe koordinon politikat shtetërore në fushën e drejtësisë dhe është përgjegjës për garantimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
- Ministri i Drejtësisë është përgjegjës për hartimin e politikave shtetërore në fushën e drejtësisë, si dhe për inspektimin dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Inspektimi dhe procedimi disiplinor kryhet brenda kufizimeve e parashikimeve të vendosura në Kushtetutë dhe në ligj. Organizimi i strukturave të inspektimit, tagrat dhe kufizimet, rregullat për shqrtimin e procedimit, si dhe garancitë proceduriale për subjektet e procedimit përcaktohen me ligj të veçantë.
- Shqyrtimi i procedimit disiplinor bëhet nga një trup gjyqësore prej pesë anëtarësh të Gjykatës së Lartë, të zgjedhur me short.
- Ankimi kundër vendimit të kësaj trupe gjyqësore bëhet në Tribunalin e Drejtësisë
- Tribunali i Drejtësisë përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët gjashtë anëtarë nga Gjykata e Lartë dhe tre anëtarë nga Gjykata Kushtetuese; të nëntë anëtarët caktohen me short. Pesë anëtarët që morrën pjesë në trupën gjyqësore, nuk marrin pjesë në Tribunalin e Drejtësisë. Rregulla më të hollësishme për shqyrtimin e procedimeve, procedurën dhe vendim-marrjen e trupës gjyqësore dhe të Tribunalit të Drejtësië, caktohen me ligj
Neni 17
Pas nenit 147, shtohet neni 147/1 me këtë përmbajtje:
- Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor, me votim të drejtpërdrejtë. Kriteret dhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve rregullohen me ligj.
- Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ushtrojnë detyrën për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor është i lidhur me qenien gjyqtar të tij.
- Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit, me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve. Kur në votimin e parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e arrin shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë, në të cilin Kryetari zgjidhet me shumicë të gjithë anëtarëve. Mandati i Kryetarit përkon me atë të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
- Ministri i Drejtësisë mer pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të komunikuar qendrimet e Këshillit të Drejtësisë për çështje të kompetencës së Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Neni 18
Pas nenit 147/1, shtohet neni 147/2 me këtë përmbajtje:
- Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron, ndërmjet të tjerave, përgjegjësitë e mëposhtme:
- a) Emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor;
- b) Miraton rregullat e etikës gjyqësore;
- c) Propozon dhe administron buxhetin e gjykatave.
- Administrata e Këshillit të Lartë Gjyqësor drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i KLGJ, i cili është përgjegjës përpara KLGJ për zbatimin e vendimeve të saj dhe aktivitetin tjetër administrativ. Rregullime më të hollësishme të organizimit, funksionimit dhe përgjegjësive të KLGJ bëhen me ligj.
Neni 19
Pas nenit 147/2, shtohet neni 147/3 me këtë përmbajtje:
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve, me votim të drejtpërdrejtë. Kriteret dhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve rregullohen me ligj.
- Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ushtrojnë detyrën për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është i lidhur me qenien e tij prokuror.
- Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit, me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve. Kur në votimin e parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk e arrin shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë, në të cilin Kryetari zgjidhet me shumicë e të gjithë anëtarëve. Mandati i Kryetarit përkon me atë të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Ministri i Drejtësisë mer pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të komunikuar qendrimet e Këshillit të Drejtësisë për çështje të kompetencës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Neni 20
Pas nenit 147/3, shtohet neni 147/4 me këtë përmbajtje:
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ushtron, ndërmjet të tjerave, përgjegjësitë e mëposhtme:
- a) Emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve;
- b) Miraton rregullat e etikës së prokurorëve;
- c) Propozon dhe administron buxhetin e Prokurorise.
- Administrata e Këshillit të Lartë të Prokurorisë drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i KLP, i cili është përgjegjës përpara KLP për zbatimin e vendimeve të saj dhe aktivitetin tjetër administrativ. Rregulla më të hollësishme për organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e KLGJ bëhen me ligj.
Neni 21
Pas nenit 147/4, shtohet neni 147/5 me këtë përmbajtje:
- 1. Transferimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përveçse kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit të drejtësisë.
- 2. Gjyqtari apo prokurori mund të shkarkohet pas një procedimi disiplinor, kur:
- kryen një vepër penale,
- ka kryer më parë një vepër penale,
- deklarohet i paaftë mendërisht dhe fizikish për të kryer detyrën,
ç. kryen akte apo sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit apo prokurorit, përfshirë fshehjen,mosdeklarimin apo deklarimin e rreme te pasurise.
- konstatohet pamjaftueshmëri profesionale në kryerjen e dretyrës.
- 3. Kundër vendimit për shkarkim, gjyqtari apo prokurori i shkarkuar ka të drejtë të ankohet në Tribunalin e Drejtësisë. Rregulla më të hollësishme caktohen me ligj.
Neni 22
Pikat 1 dhe 2 të nenit 148 riformulohen si vijon:
- Prokuroria kryen hetimin penal si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara më ligj.
- Prokurorët janë organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor.
- Kuvendi do të krijojë me ligj një njësi të specializuar hetimi, që operon brenda Prokrurorisë, por që është e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm.
Neni 23
Dispozitë kalimtare
- Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, inspektorët e Inspektoratit të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, si dhe këshilltarët ligjorë do t’i nënshtrohen vlerësimit dhe rivlerësimit sipas procedurës dhe kritereve të parashikuara me ligj.
- Për kryerjen e procesit të vlerësimit për subjektet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, krijohet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rregullohet me ligj[2].
- Komisioni i pavarur i vlerësimit vendos për:
- Integritetin moral dhe profesional te gjyqtarëve dhe prokurorëve
- Pasurinë e tyre në raport me deklarimet e bëra.
- Ndalohet rishikimi i vendimeve të gjykatave të dhëna nga gjyqarët, përveç se sipas mënyrës dhe procedurës të parashikuar në Kushtetutë dhe në Kodet e Procedurave.
- Kundër vendimit të Komisionit të Rivlerësimit mund të bëhet ankim në Tribunalin e Drejtësisë.
- Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Procesit të Rivlerësimit, miratohet me jo më pak se 3/5 e anëtarëve të Kuvendit dhe është i paankimueshëm në Gjykatën Kushtetuese.
Neni 24
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
[1] Neni 140 aktual parashikon “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike dhe për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.
Nuk ka me kuptim një parashikim i tillë, për sa kohë anëtarët e Gjykatës së Lartë do të jenë vetëm gjyqtarë, nën ombrellën e KLD-së, dhe do të emërohen, vlerësohen dhe shkarkohen sipas parashikimeve në ligj, sipas nenit 147 të Kushtetutës, të riformuluar nga ky projektligj.
[2] Ku delegohet rregullimi me ligj, më së shumti këto rregullime duhet të bëhen në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, dhe të miratohen me shumicë të cilësuar (3/5).