Drafti i Ramës për Asociacionin në Kosovë, Meta: Të mos luajë rolin e patronazhistit
Sot kryeministri Edi Rama doli në një deklaratë për mediat, ku bëri me dije se ka propozuar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë te Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se qeveria shqiptare nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me institucionet legjitime në Kosovë.
“Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti. Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate.
Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë. Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,-thotë Meta.
Nga ana tjetër, Meta thekson edhe se zgjidhja se si mund të arrihet tek Asociacioni gjendet vetëm te respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, për të cilën vlerësoi rolin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por i tërhoqi vëmendjen kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuçiç.