“Drejtësia” në ngërç, komisioni mblidhet pa opozitën, mosmarrëveshje për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ e KLP
Formulimi i nenit për mënyrën sesi do të përzgjidhen 10 anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka krijuar përplasje mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Ditën e djeshme, pas 3 orë debatesh për nenin 3, opozita ka braktisur komisionin me argumentin se “është i kotë çdo lloj debati për sa kohë thyhet haptazi konsensusi i 21 korrikut dhe Kushtetuta”. Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Reformën në Drejtësi do të vijojë diskutimet për ligjin për sistemin e drejtësisë, por pa deputetet e Partisë Demokratike.
Mazhoranca refuzoi amendamentet e PD mbi projektligjin për qeverisjen e organeve të drejtësisë
Mazhoranca dhe opozita nuk kanë toleruar njëra-tjetrën lidhur me procesin e ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së drejtësisë, duke rikthyer ngërçin politik mes palëve për reformën në drejtësi. Shkak është bërë projektligji për organet e qeverisjes së drejtësisë, ku në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Posaçëm për reformën në Drejtësi palët janë ndarë mes tyre, pasi për Partinë Demokratike ai jo vetëm që është një ligj i miratuar pa konsensusin e saj, por gjithashtu është drafti me më shumë shkelje kushtetuese sesa çdo draft që është hartuar deri tani. Dhe për këtë arsye,ashtu siç ka bërë me të gjithë projektligjet e miratuara deri tani dhe që janë ligjet kuadër për zbatimin e Kushtetutës së re të miratuar më 22 korrik, opozita i paraqiti komisionit një draft-amendamentesh për të paktën 11 nene të projektligjit në fjalë. Por, në përfundim përfaqësuesit e opozitës do të dilnin të parët nga mbledhja e djeshme e Komisionit me pretendimin se me votimin që bëri mazhoranca po zhbën Kushtetutën e miratuar në 22 korrik. Nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi në një prononcim për mediat theksoi se drafti u miratua pa konsensusin e opozitës, pasi sipas tij, me votimin e djeshëm të draftit, ku u refuzuan amendamentet e PD-së, është i kotë çdo lloj debati për sa kohë, tha ai, mazhoranca thyen haptazi konsensusin dhe Kushtetutën e miratuar më 22 korrik. “Dolëm nga mbledhja e komisionit ku shqyrtohet ky ligj shumë i rëndësishëm. Sot debati qe i gjatë, thelbësor. Ajo që sapo bëri me nenin e parë, mazhoranca ishte që me votim kërkon që me ligj të zhbëjë Kushtetutën e miratuar në 22 korrik të këtij viti. Me ligj të kthejë, të fusë në proces ato që konsensusi politik i hoqi filtrat që do të kapnin politikisht kandidatët që i vijnë Kuvendit për t’u votuar si anëtarë jo gjyqtarë, apo jo prokurorë në KLGj dhe KLP. Pra duan që me ligj, që me mazhorancën e tyre të zhbëjnë jo vetëm konsensusin politik, por gërmën dhe frymën e nenit kushtetues, në mënyrë të veçantë nenit 147”- tha Bylykbashi. Demokratët janë të bindur se me projektligjin e propozuar për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, mazhoranca synon që të dërgojë emra të caktuar dhe Kuvendi të jetë vetëm një votues i këtij vullneti politik të kontrolluar. Në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshjen e 21 korrikut, e cila vendosi në Kushtetutë parimin e zgjedhjes së 10 anëtarëve që zgjidhen nga Kuvendi për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Opozita vlerëson se me ligjin e paraqitur ka një deformim flagrant të Kushtetutës, pasi Kuvendit i hiqet ekskluziviteti i emërimit. “Kërkojnë që nëpërmjet instrumenteve të tyre të dërgojnë emra të caktuar dhe Kuvendi të jetë vetëm një votues i këtij vullneti politik të kontrolluar, atë që deshën të bënin dikur dhe e rrëzoi marrëveshja politike, atë kërkojnë që të bëjnë sot. E miratuan, ne e votuam kundër dhe për rrjedhojë dolën nga komisionit. Me këtë votim sot është e kotë çdo lloj debati për sa kohë thyejnë konsensusin dhe kushtetutën haptazi”- u shpreh deputeti demokrat. Sipas tij, Kushtetuta përcakton organet dhe procedurën për zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë, dhe se ndryshimi i asaj çfarë ishte arritur në marrëveshjen mes palëve, është i qëllimshëm nga mazhoranca. “Nëpërmjet procedurës së sotme (djeshme) mazhoranca po fut organe që nuk ekzistojnë në Kushtetutë. I shesin për procedurë, por nuk mund të jenë procedurë mbledhja e drejtuesve të fakulteteve të Drejtësisë, apo bordi i Dhomës së Avokatisë. Përpiqen t’i shesin si procedurë për t’u shtuar me ligj, por në fakt po shtojnë organe jo kushtetuese që do të filtrojnë vullnetin e Kuvendit. Kjo është haptazi në kundërshtim me frymën e kushtetutës dhe rrënon në themel konsensusin që coi në miratimin e kushtetutës në 22 korrik. Sigurisht nëse do të ishte respektuar marrëveshja kjo maskaradë nuk do të kishte ndodhur. E bënë të qëllimshme pikërisht për këtë: që me 84 vota apo sado që të kenë të ndryshojnë atë që u arrit në 22 korrik”- u shpreh Bylykbashi.
Qëndrimi i mazhorancës
Pak minuta pas deklaratës së deputetit demokrat, do të vinte dhe reagimi i kolegëve të tij të mazhorancës në Komision, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, të cilët thanë se opozita është e paqartë në kërkesat e saj, pasi mazhoranca ka zbatuar gërmë për gërmë nenin 147 pikën 3 të Kushtetutës. “Opozita është e paqartë në atë çka kërkon sepse ligji që diskutuam sot respekton gërmë për gërmë kushtetutën që kemi miratuar dhe konkretisht nenin 147 pika 3. Në këtë nen është marrë referenca në pikën 16 i opinionit final të Venecias. Në kompzimin e KLGJ dhe KLP anëtarët jo gjyqtare do të zgjidhen nga një proces transparent të baraz larguar nga p olitika dhe flet përt një proces përzgjedhje nga trupave e avokatëve, shoqëra civile dhe një procez gjedhje me një formulë politike. Ky rekomandim ka gjetur zgjidhje nënin 147 pika 3 e kushtetutës. Debati i mazhorancës ka qenë brenda kuadrit kushtetues. Ne kemi respektuar nenin 147 pika 3 e kushtetutës dhe nuk ka asnjë devijim nga kushtetuta që ne kemi miratuar”- tha Ulsi Manja.
Qeverisja e drejtësisë, PD vërejtje për 11 nene të draftit të mazhorancës
Projektligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e reformës në drjetësi, me 198 nene, por në opinionin e paraqitur mesditën e djeshme në komisionin e reformës në drejtësi, opozita renditi 11 nene ku sipas saj, Kushtetuta shkelet në mënyrë flagrante. Opozita i paraqiti këto amendamente pasi drafti është hartuar pa prezencën e saj në komision dhe versioni që i është përcjellë Kuvendit nuk është konsultuar me ekspertët e opozitës. Sipas PD-së, projektligji ka bërë deformim në mënyrë flagrante të sistemit të emërimeve të përcaktuar nga Kushtetuta për anëtarët e jashtëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e shndërruar atë nga një sistem që përfshin ekskluzivisht në përzgjedhje vetëm Kuvendin dhe organet e tij të brendshme, në një sistem bashkëpunimi në emërim, që e ndërthurë veprimtarinë e Kuvendit me propozimin nga organe të jashtme, të paparashikuara nga Kushtetuta. Projektligji përmban parashikime që janë të papranueshme për statusin dhe pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës, por edhe bie ndesh me nenin 179 të Kushtetutës. Sipas PD-së, projektligji eliminon kriterin kushtetues të konkurrimit të hapur të një profesioni të caktuar, duke risjellë amendamentin e dikurshëm, sipas të cilit Dhoma Kombëtare e Avokatisë apo një mbledhje pedagogësh kanë të drejtën e propozimit të kandidaturave. Për PD-në, kjo është e papranueshme. Me këtë fjali opozita përshkruan edhe heqjen e së drejtës së presidentit për të organizuar shortin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të paktën 4 çështje të tjera që lidhen me të 4 insitucionet e reja të drjetësisë, objekt i ligjit në diksutim. Demokratët shprehen se analiza është bërë duke mbajtur në konsideratë jo vetëm konstatimet e Opinioneve të Komisionit të Venecias, por mbi të gjitha Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Sa i përket kritereve për anëtarët e KLGj-së, KLP-së, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorëve të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, për demokratët nuk sigurojnë kriterin kushtetues të përzgjedhjes së kandidatëve “me integritet të lartë moral dhe profesional”. Në argumentet e përmbledhura në opinionin e PD thuhet se rregullimi i aspekteve të funksionimit të KLP, nuk mund të përcaktohen nëpërmjet shprehjes “rregullat zbatohen për aq sa është e mundur dhe me ndryshimet përkatëse”,pasi krijohet situatë e paqartë, dhe mundësinë për keq zbatim të ligjit në praktikë. Duke iu referuar rregullave mbi statusin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me kushtetutën, ku sanksionohet se deklarimi i mbarimit të mandatit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë bëhet me vendim të mbledhjes së përbashkët të KLGj-së dhe KLP-së. Ndërkohë projektligji këtë kompetencë ia njeh Kuvendit. Po ashtu demokratët vërejnë një tjetër shkelje kushtetuese për për mandatin e anëtarëve të KED, ku specifikohet se ata ushtrojnë detyrën me një mandat një vjeçar, që fillon në datën një Janar të çdo viti kalendarik. Duke renditur të gjitha problematikat që vërejnë në projektligj, demokratët konkludojnë që përmbajtja në tërësi e projektligjit, paraqet disa çështje, që ata vlerësojnë, se janë hartuar në mënyrë të paqartë dhe në kundërshtim me teknikën e hartimit të ligjeve, çka mund të krijonte probleme gjatë zbatimit.
KOHA JONË SONDAZH

