Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda flet për 112- vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, me rastin e 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, ka uruar me anë të një mesazhi, punonjësit e Policisë, familjet e tyre, familjarët e Dëshmorëve të Policisë dhe veteranët e Policisë.

Mesazhi është përcjellë nga drejtorët e drejtorive vendore të policisë, gjatë ceremonive të organizuara në 12 qarqet e vendit, me rastin e 112-vjetorit të Policisë së Shtetit.

Mesazhi: “Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit, të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Policisë,

Në këtë përvjetor të 112-të të krijimit të Policisë shqiptare, kam nderin që, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, t’ju uroj gëzuar festën!

Ju falënderoj për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e secilit prej jush dhe të familjeve tuaja.

Ky përvjetor nuk është thjesht një datë në kalendar, por një etapë e rëndësishme që forcon dhe përsos më tej Policinë e Shtetit.

Unë, ashtu si cilido tjetër që mban veshur këtë uniformë, nuk ndihet i vetëm në këtë betejë për sigurinë dhe zbatimin e ligjit. Kjo është një detyrë e përbashkët, e frymëzuar nga mbështetja dhe besimi i aleatit tonë më të çmuar, qytetarëve, si dhe nga vepra dhe kujtimi i atyre që dhanë jetën në përmbushje të misionit tonë.

Dëshmorët e Policisë mbeten përgjithmonë të gjallë në kujtesën tonë. Ata janë një model frymëzimi për breza të tërë studentësh, oficerësh dhe drejtuesish të Policisë së Shtetit. Edhe pse fizikisht nuk janë më mes nesh, dëshmorët mbeten një kujtesë e përhershme e sakrificës sublime dhe një burim frymëzimi për të gjithë kolegët e tyre, që përballen çdo ditë me sfidat e detyrës. Ju familjarë të nderuar të Dëshmorëve të Policisë do të jeni përherë anëtarë të veçantë të familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit!

Një ditë, të gjithë do të jemi veteranë, sepse koha nuk kthehet pas. Por, për të mbërritur deri në atë moment, dhe për ta mbyllur këtë mision me nder, nevojitet një jetë e tërë përkushtimi, sakrifice dhe arritjesh, gjithmonë të orientuar nga busulla e ligjit.

Të nderuar veteranë,

Edhe unë, që sot mbaj këtë post të rëndësishëm, fisnik dhe sfidues, ndodhem në një prej sfidave më të mëdhaja të karrierës sime. Një ditë, të gjithë ne që jemi pjesë e Policisë së Shtetit do të jemi veteranë, sepse koha nuk kthehet pas, por më fatlumët janë dhe do jenë ata që e mbyllin me nder rrugën e vështirë por fisnike të Policisë së Shtetit dhe lënë gjurmë e vlera për brezat në vijim.

Me përulje, ju vlerësoj për gjithçka që keni ndërtuar në Policinë e Shtetit, duke e kthyer atë në një faktor kyç për sigurinë në vend. Ju jeni një memorial i gjallë i besimit në ligj dhe i qëndrueshmërisë përballë çdo sfide.

Misioni ynë është sfidues, por pas çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që kryen detyrën me përkushtim dhe guxim, qëndron një familje. Familjet tuaja janë ato që mbajnë peshën e përditshme të shqetësimeve dhe sakrificave që bëni për të përmbushur detyrën. Ato janë pjesë e pandashme e suksesit dhe e qëndresës suaj. Për këtë arsye, fjalët më të mëdha të gjuhës sonë amtare i takojnë atyre: Mirënjohje!

E gjithë struktura drejtuese e Policisë së Shtetit, ashtu si dhe mbarë shoqëria, ju janë mirënjohës juve dhe familjeve tuaja fisnike.

Gëzuar ditën tonë dhe të gjithë atyre që besojnë në punën tonë të përbashkët Polici-Komunitet!

Me respekt dhe mirënjohje për të gjithë ju dhe familjet tuaja,

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Drejtues Madhor Ilir Proda

 

SHKARKO APP