Drejtori i Policisë, Ilir Proda mbledhje me drejtuesit: Zbatoni detyrimet e Kodit Zgjedhor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, këtë të mërkurë thirri në takim drejtorët e drejtorive vendore të Policisë, drejtorët e drejtorive për kufirin dhe migracionin dhe drejtorët e departamenteve, për t’iu përcjellë disa porosi për përmirësimin edhe më shumë të cilësisë së shërbimeve të Policisë, me qëllim rritjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë në vend gjatë përmbylljes së fushatës elektorale, procesit të votimit dhe deri në përfundim të të gjithë këtij procesi.
Proda ka kërkuar nga drejtorët që të qëndrojnë në krye të shërbimeve. Polica e Shtetit do të kalojë në shërbime të përforcuara, për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, aktivitetin “Giro d’Italia” dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian që do mbahet më 16 maj, në Tiranë.
”Zbatoni ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke qëndruar të baraslarguar nga subjektet politike, si deri tani. Reagoni në kohë dhe me profesionalizëm, mos neglizhoni asnjë konflikt, sado i vogël apo i parëndësishëm qoftë në dukje, ndiqni në dinamikë çdo shqetësim të adresuar nga qytetarët apo nga përfaqësues të subjekteve politike dhe trajtojini ato ligjërisht, në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.
Punoni me inteligjencë policore, për të parandaluar dhe goditur krimet elektorale. Strukturat e Policisë të vijojnë monitorimin intensiv të rrjeteve sociale, për evidentuar shkeljet ligjore që cenojnë procesin zgjedhor dhe të identifikojnë shtetasit përgjegjës.
Porositni shërbimet që pavarësisht rrethanave apo situatave me të cilat mund të përballen, asnjëherë të mos harrojnë se janë punonjës police dhe të vetmen armë mbrojtëse kanë ligjin, ta zbatojnë me gjakftohtësi, profesionalizëm dhe përtej çdo paragjykimi. Merrni masa që punonjësve të Policisë, pavarësisht planëzimit me shërbim, t’iu krijohet mundësia që të votojnë si çdo qytetar i këtij vendi”.
KOHA JONË SONDAZH

