Drejtuesi i Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer“ në Tiranë flet për dekriminalizimin e kandidatëve për deputetë
Nga Deutsche Welle
Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare 2021. Drejtuesi i zyrës së Fondacionit gjerman „Konrad Adenauer“ në Tiranë, Tobias Rűttershoff për DW mbi vettingun paraprak nga partitë për kandidatët e tyre.
DW: Z.Rűttershoff, ꞔfarë mendoni për vettingun paraprak të personave që do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë dhe përgjegjësinë e kryetarëve të forcave politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare 2021 më 25 Prill?
Dr. Tobbias Rűttershoff: Mospërfshirja në këto lista e personave me rekorde kriminale në të shkuarën ka rinxjerrë në dritë emergjencën e dekriminalizimit të politikës në Shqipëri, të kërkuar kohët e fundit nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ku flitet qartë për përgjegjësinë e kryetarëve të forcave politike në garë.
Mendoj që kemi nevojë të mbështetemi në një sërë masash kur është fjala për mënyra efektive të dekriminalizimit të politikës në Shqipëri. Këto përfshijnë ligjin e ri zgjedhor, presionin e shtuar nga zbatimi i ligjit dhe ndjekja penale – duke përfshirë edhe Strukturën e Posaꞔme Anti Korrupsion, (SPAK) të sapoformuar, Byronë Kombëtare të Hetimit – si dhe një veting të kandidatëve politikë. Individualisht, këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme, por të kombinuara, shpresoj që ato të çojnë në një proces ku të zgjidhen kandidatë të kualifikuar dhe të respektuar, pa rekorde kriminale në të shkuarën e tyre. Në fund të fundit, kjo është ajo që pret publiku shqiptar. Prandaj, procedura e vetingut është vetëm një pjesë e një strategjie efektive për dekriminalizimin e politikës në vend.
DW: A mund të jetë efikas një vetting i tillë pararak nëse bëhet nga kryetarët e forcave politike, ose nga struktura apo komisione të ngritura nga partitë politike që do marrin pjesë në garën elektorale të 25 prillit 2021?
Dr. Tobbias Rűttershoff: Kam parë formularin e Partisë Demokratike, (PD) që kandidatët duhet të plotësojnë. Janë mbi 30 fletë, ky formular duket shumë i gjerë dhe i plotë. Është e rëndësishme të vë në dukje që për plotësimin e këtij formulari, partia merr leje të kërkojë të dhëna të mëtejshme rreth kandidatit për deputet që e ka plotësuar. Për shembull, Komisioni i Përzgjedhjes në PD mund të kërkojë informacion nga policia ose Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSH) Kjo mund të mos jetë e nevojshme në çdo rast, ndërkohë që ky informacion mund të merret nëse ka prova të thella se një kandidat ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale.
Për më tepër, unë e shoh këtë vetëdeklarim pothuajse si një affidavit*. Nëse dikush jep informacion të rremë për vehten e saj / e tij atëherë, ky person në të ardhmen nuk do të ketë justifikime. Prandaj, besoj që ndonëse është partia që bën vettingun, ky është një hap i parë drejt një dekriminalizimi më efektiv të politikës. Sigurisht që është më mirë sesa të mos bëhet asgjë.
DW: Dr. Rűttershoff, ju lutem, si veprohet në Gjermani për të siguruar një Bundestag të dekriminalizuar?
Dr. Tobbias Rűttershoff: Kushdo që dënohet për një vepër penale, me një vendim përfundimtar gjykate, të formës së prerë, humbet automatikisht të drejtën e saj / e tij për të konkurruar në zgjedhje për pesë vjet (plus kohëzgjatjen e dënimit me burg). Kjo vlen kur vepra penale është një krim i rëndë dhe atëhere, në fakt, dënimi është me burg për të paktën një vit (me ose pa provë). Çdo person që ende ka një pozicion, të cilin ai ose ajo e ka fituar përmes zgjedhjeve publike, e humbet këtë pozicion me efekt të menjëhershëm pas dënimit. Personi i interesuar gjithashtu nuk lejohet më të jetë anëtar i një partie për 5 vite. Për më tepër, shumë parlamente të shtetit gjerman kryejnë kontroll për të shkuarën e stafit dhe punonjësve të tjerë në parlamentet e tyre.
Përveç këtyre dispozitave ligjore, është e rëndësishme të theksohet që kultura demokratike në Gjermani nuk do të pranonte njerëz me të shkuar kriminale serioze dhe partitë (madje edhe ato më ekstreme) do të ishin pa mend të fusnin në lista kandidatë të tillë. Mendoj që kjo lloj mendësie na duhet në Shqipëri për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë.