Drejtuesit politikë të PD-së komentojnë humbjen në zgjedhje: Na vodhi Rama
Disa prej drejtuesve politikë të qarqeve nga PD, folën për mediat para se të shkonin në mbledhje me Sali Berishën. Të gjithë njëzëri akuzuan kryeministrin Edi Rama se i vodhi këto zgjedhjet, përmes blerjes së votave, intimidimit të qytetarëve me bandat pranë PS. Më i ashpëri ndër ta ishte Edi Paloka, i cili fajësoi mediat se nuk po gjykojnë hajdutin por të vjedhurin.
”Komentet i ka bërë kryetari i Partisë. Po Rama ka përgjegjësi Rama. Rama ka përgjegjësi që i vodhi apo kemi vetëm ne përgjegjësi. Sepse vetëm ju jeni media që përgjegjësinë nuk e shihni te hajduti por e shihni tek ai që vidhet”, u shpreh me tone të larta Paloka.
Sakaq, Xhelal Mziu i cili drejtoi fushatën në qarkun Dibër, u shpreh se kandidatët për deputetë nuk mund të bëjën bodigardin për të mbrojtur votën që të mos vidhet nga socialistët. Klevis Balliu ishte i vetmi ndër demokratët që u shpreh se duhet reflektim në radhët e tyre për këtë humbje.
Drejtuesi politik i PD në Fier, Gazment Bardhi tha se nuk ka koment për rezultatin dhe përgjegjësitë për humbjen, por falënderoi votuesit e qarkut ku ai kryesonte listën.
”Përveç mirënjohjes me zemër për mbi 40 mijë qytetarë të qarkut të Fierit që pavarësisht terrorit në të gjitha drejtimet, qëndruan dhe zgjodhën alternativën më të mirë për Shqipërinë sonte nuk kam asnjë koment tjetër. Mirënjohje, mirënjohje dhe vetëm mirënjohje”, tha Bardhi.
KOHA JONË SONDAZH

