110 vjetori i Pavarësisë/Rama dhe Veliaj: Dua Lipa vjen me një SUPER koncert me 28 Nentor në Tiranë
“Dua Lipa vjen me një SUPER koncert në Tiranë për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”- shkruan kryeministri Rama.
Ndërkohë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Dua Lipa do të performojë në Tiranë më 28 nëntor.
“Morëm një super lajm se Dua Lipa, mikesha jonë e Tiranës dhe Shqipërisë, ka vendosur ta mbyllë turin e saj botëror në Tiranë, në datën 28 Nëntor, me një koncert falas për të gjithë. Do të festojmë Ditën e Flamurit dhe Festën e Pavarësisë, por edhe mbylljen e një viti të mrekullueshëm për Tiranën si “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, për t’ia kaluar stafetën titullit “Qyteti Europian i Sportit 2023”. Do të festojmë siç i ka hije një qyteti”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku bëri me dije disa data të rëndësishme në të cilat do ketë aktivitete të rëndësishme në Tiranë. Veliaj i bëri thirrje qytetarëve, që siç është bërë traditë tashmë, të vendosin flamujt kuq e zi në ballkonet dhe dritaret e tyre për festat e Nëntorit.
“I ftoj të gjithë qytetarët të valëvisin flamurin shqiptar. Kjo është java kur e gjithë Tirana do të zbukurohet. Kanë filluar instalimet për Festat e Nëntorit, këndet e lojërave për fëmijët për Vitin e Ri, fshatin e fund-festave etj. Do të kemi kampionatin botëror të futbollit. Ndaj, i kërkojmë të gjithë qytetarëve, nëse kanë një flamur ta vendosin në ballkonet e tyre, që Tirana të marrë një atmosferë festive. Në datën 23 Nëntor do të kemi aktivitetin për kalimin e stafetës për Kryeqytetin Europian të Rinisë për vitin 2025. Gjithashtu, qyteti po përgatitet për të mirëpritur krerët e Bashkimit Evropian në datën 6 dhjetor, edhe krerët e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Veliaj.
https://kohajone.com/super-lajm-dua-lipa-koncert-ne-tirane-me-28-nentor-mezi-pres-me-ju-pa-video/