Duka: A mund t’i luftojnë politikanët tanë partnerët e tyre të botës së krimit?
Kreu i PAA Agron Duka ka reaguar pas monologut të kreut të qeverisë Edi Rama gjatë ditës sotme ku tha se po prezantonte një paketë antiKÇK.
Duka në një shënim në facebok kujton deklaratën e kreut të antimafias italiane që thoshtë pak ditë më parë se mafiozët janë të lidhur me politikën.
“A mund të luftojnë këta politikanë dhe zyrtarë të lartë të përmendur nga zoti de Raho, partnerët e tyre të botës së krimit?”, shkuna Duka.
Postimi i plotë i Dukës
Në këtë spektakël, të paguar nga taksat e qytetarëve, foli sikur të ishte kandidat për kryeministër, dhe jo kryeministri i një vendi që prej ditës në të cilën ai po qeveris, njihet për më shumë korrupsion, më shumë krim të organizuar më shumë trafik ndërkombëtar droge.
“Mafiozët shqiptarë kanë krijuar lidhje me eksponentë të politikës dhe interesat e tyre po administrohen nga zyrtarë të nivelit të lartë”,- deklaronte pak ditë më parë Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero de Raho.
Kjo është një e vërtetë e pamohueshme e cila dëshmon se ‘aleanca e qelbësirave’ është e ndërvarur, ka lidhje simbiotike. As krimi nuk mund të bëhej kaq i fuqishëm pa mbrojtjen politike, as kapja e shteti nga një parti nuk mund të bëhej kaq e thellë pa mbështetjen e krimit në fushatat zgjedhore.
Pyetja që shtrohet është: A mund të luftojnë këta politikanë dhe zyrtarë të lartë të përmendur nga zoti de Raho, partnerët e tyre të botës së krimit?
Përgjigja është e thjeshtë, JO!
Kjo do të jetë detyra e SPAK-ut, të sapo ngritur, dhe jo e atyre që e vonuan ardhjen e kësaj dite të rëndësishme për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit. Fundi i pandëshkueshmërisë kalon përmes kësaj strukture dhe jo nga recitimet e një individi që ka marrë përsipër më shumë role se dikur Bes Kallaku, nga prokurori te humoristi, nga gjykatësi tek artisti, nga politikani te gangsteri.