Duka i kthehet Ramës: Përçmuese, ftesa për bashkëpunim me PD! Përgjegjshmëri përballë papunësisë dhe varfërisë
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, pjesë e Aleancës për Ndryshim së bashku me Partinë Demokratike, ku dhe renditet i i dyti në listë në Qarkun e Durrësit, ka komentuar thirrjet e kryeministrit Edi Rama, drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha, për bashkëpunim.
Në një postim në “Facebook”, Duka e quan këtë ftesë si “përçmuese” dhe shton se cilëson si ftesë për mbijetesë personale. Ndër të tjera, Duka thekson se
thirrjet “Rama Ik”, burojnë nga shpirti i çdo të papuni dhe nënvizon se ka ardhur koha për ndryshim
Postimi i plotë:
“Ftesa me përçmim është ftesë për mbijetesë personale dhe nënshtrim poshtërues të opozitës”
Rama edhe e fton dhe e përçmon Bashën.
Kjo ftesë nuk është për të shpëtuar Shqipërinë por Ramën dhe oligarkinë.
Kjo është papërgjegjshmëri përballë papunësisë, varfërisë dhe ngecjes disa vjeçare në proçesin e integrimin europian.
Çfarë kredibiliteti do të ketë bashkëqeverisja me Ramën kur ai vazhdon me akuzat ditore shpifëse, përbaltuese dhe përçmuese për Bashën dhe aleatët e tij në koalicionin “Aleanca për Ndryshim”.
Është koha që Shqiptarët të votojnë ndryshimin, i cili në çdo rast fillon me largimin përfundimisht të Ramës nga lidhjet kriminale, nga babëzia dhe nga përqëndrimi i pushtetit politik absolutë tek ai, dhe përqëndrimin e pasurisë në vetëm 4-5 oligarkë preferencial.
Bashkëqeverisja me Ramën është bashkëjetesë me krimin e rigjallëruar nga Rilindasit për të vjedhur vota edhe në 25 Prill.
Thirrja “Rama ik” nuk është një parullë politike, por një thirrje që buron nga shpirti i çdo të papuni, të varfëri, të çdo individi dhe biznesi që vuan nga keq-qeverisja Rrumpallë plot gjoba, arrogante dhe babëzi.
Disa “rilindas” për pushtet absolut kriminalizuan politikën dhe ekonominë.
PAA – do të jetë aleate kredible edhe në qeverisjen pa ‘bashkëqeverisësin Rama’ që edhe përpara largimit nga pushteti – pikërisht në nëntor 2020 e uli buxhetin për bujqësinë në vetëm 57 qindarka në 100 lekë.
Eshtë koha për ndryshimin e madh.
Është koha për Ramën të kuptojë se koha e tij ka mbaruar.
Është koha që Rama t’a kuptojë se aleanca me krimin për të vjedhur vota për mbijetesë dhe imunitet personal do t’a bëjë më të madhe humbjen dhe më të rëndë
dështimin dhe vendin e tij në histori si politikani që për pushtet absolutë kriminalizoi veten dhe Shqipërinë.
Fatin politik të Ramës e përcakton vetë Rama duke mos u kapur me thonjë të përgjakur pas karriges kryeministrore. Por Ramën mund t’a shpëtojnë nga etja për pushtet absolut, votuesit e 25 Prillit me votat plebishitare kundër modelit qeverisjes së rilindasve arrogantë dhe të babëzitur.