Duka: “Jo” e BE-së ishte verdikt për 6 vite keqqeverisje

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, mblodhi sot Asamblenë e partisë, ku në fjalën e tij vuri theksin te kriza e thellë politike dhe vendimi i BE për të mos hapur negociatat.

Lidhur me bllokimin e negociatave, Duka tha se “mos çelja ishte një verdikt për gjashtë vite keqqeverisje, një verdikt i nënshkruar edhe nga shqiptarët që kanë mbushur rrugët e Europës, në pamundësi për një jetë më të mirë në një vend ku rendin ligjor ka rënë, si pasojë e mungesës së Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese”.

Më tej, Duka deklaroi se duhen zgjedhje të parakohshme për zgjidhjen e krizës, pasi sipas tij, çlirimi i shoqërisë shqiptare duhet bërë vetëm përmes garës dhe konkurrencës në zgjedhje. “Megjithatë, një gjë është e sigurt, çlirimi i shoqërisë shqiptare nga ngërçi në të cilin ndodhet, duhet të kaloj nëpërmjet garës dhe konkurrencës në zgjedhje. Është gara që prodhon ndryshim. Është gara që përmirëson një shoqëri. Është një sistem zgjedhor konkurrues ai që i duhet Shqipërisë”, theksoi kreu i PAA.

SHKARKO APP