Duka për “KJ”: Ramën nuk do ta lejojmë të luajë me fatet e vendit, Reformën Zgjedhore do ta mbrojmë me protesta

Kreu i PAA, Agron Duka i pyetur nga Gazeta Koha Jonë për mosmbështetjen e pikave të opozitës për Reformën Zgjedhore nga kryeministri Rama shprehet se është tërësisht kundër interesit të shqiptarëve, që jo vetëm janë në një krizë të thellë ekonomike dhe nuk kanë nevojë për të parë lojërat e kryeministrit, por janë në pritje të çeljes së negociatave.

Më tej Duka thekson se opozita nuk do të lejojë që Rama të luaj me fatet e vendit dhe se reforma do të bëhet dhe krimi zgjedhor do të ndëshkohet duke përdorur të gjitha mjetet politike në dispozicion, përfshirë këtu edhe protestat.

Pyetja e Koha Jonë drejtuar kreut të PAA, Agron Duka:  Çdo të thotë për Ju prishja e konsensusit për Reformën Zgjedhore nga Kryeministri? Dhe si do reagoni ndaj këtij veprimi të mazhorancës?

Përgjigjja: Rama e ka praktikë të polarizojë cdo gjë deri në maksimum, e bën këtë për ta bërë opozitën të duket si refraktare. Por pas shumë vitesh e kemi kuptuar lojën e tij, e cila në këtë moment është tërësisht kundër interesit të shqiptarëve, që jo vetëm janë në një krizë të thellë ekonomike dhe nuk kanë nevojë për të parë lojërat e kryeministrit, por janë në pritje të çeljes së negociatave. Me këto manovra Rama kërkon të shkojë kundër imponimit të aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët qartësisht kanë theksuar se reforma zgjedhore është një prioritet. Nëse Rama kërkon të pengojë procesin e integrimit, sikurse ka bërë deri më tani, sepse kushtet gjatë qeverisjes së tij vetëm shtohen, ne nuk mund ta lejojmë. Është e qartë që në këtë krizë ekonomike atij i intereson konflikti politik, prandaj prish konsensusin e imponuar nga partnerët ndërkombëtarë, në këtë mënyrë përpiqet të mbaj larg vëmendjen nga problemet reale dhe gjithashtu përpiqet të na fokusojë ne si opozitë te problemi që ai krijon nga hiçi. Ne nuk do të lejojmë që ai të luaj me fatet e vendit, reforma do të bëhet dhe krimi zgjedhor do të ndëshkohet, dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet politike në dispozicion, përfshirë këtu edhe protestat.

SHKARKO APP