Dule, akuza Ramës në Kuvend: I futët kriminelët midis nesh
Në kushtet e mungesës së opozitës sot në sallën e parlamentit, nuk ishte e thënë që të mos kishte debat me tone të forta. Kjo për shkak se opozitën e bëri kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Ai e mori fjalën pasi kishte folur kryeministri Edi Rama që deklaroi se në mazhorancë nuk ka persona me rekorde kriminale, duke shpërthyer me akuzat se sipas tij Edi Rama është një njeri me dy fytyra.
“Ju si njeriu që i keni futur kriminelët midis nesh, mbani përgjegjësinë kryesore”, tha Dule, duke shtuar se klasa politike është e inkriminuar.
Më tej, Dule tha se nëse nuk ka kriminelë, atëherë përse u bë reforma e dekriminalizimit.
“E kuptoj se jeni në një hall, keni humbur hegjemoninë morale dhe politike për dy vjet e gjysëm. Ju keni humbur kauzën morale zoti Rama,” tha Dule, duke sjellë reagime nga salla.
“Zoti Braçe, nuk keni pse bëni konen,” iu drejtua Dule deputetit socialist, Erion Braçe.
Në përgjigje të kësaj deklarate, Braçe tha se Dule njihet si tradhtar. Ai shtoi se reagimi i tij i zemëruar vjen për shkak të lajmeve të sotme në media.
“Kurrë nuk i kam thënë qen këtij zotërie. Unë vij këtu për të folur dhe kam folur përpara se zotëria të vijë këtu. Le të bëjë zgjedhjen e tij, të dalë nga mazhoranca dhe të shkojë në opozitë”, tha Braçe.
Ndërkohë kryeministri Rama ‘zbuloi’ sipas tij se përse vjen kjo revoltë e Dules.
Sipas tij, ajo vjen për shkak të qëndrimit të kësaj mazhorance ndaj paktit për ndarjen e detit me Greqinë.
“Kjo është vetëm tradhti dhe nuk ka asnjë emër tjetër. Ne nuk kemi asnjë problem me Greqinë Vangjel,” tha Rama.
“Në Tiranë kemi disa kokrra tradhtarësh që falën gjithë atë territor, por ne nuk mund ta pranojmë”, shtoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

