Dule: Rama kërkon të tjetërsojë tokat në bregdet në interes të oligarkëve
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule akuzon kryeministrin Rama se po përgatitet të kalojë në procedurë parlamentare projektligjin për pronat.
Në një deklaratë për mediat, Dule shprehet se Rama po i hap rrugë përmbushjes së objektivit të tij strategjik për tjetërsimin e statusit pronësor, kryesisht në bregdet.
“Konstatojmë me keqardhje se qeveria në shkelje të hapur të çdo parimi transparencë po përgatitet që të përfshijë në procedurë parlamentare pr/ligjin e sipërpërmendur, pa e konsultuar me grupet e interesit dhe pa zhvilluar asnjë debat publik në lidhje me të. Duke vënë përpara faktit të kryer me dhjetëra mijëra qytetarë dhe komunitete që humbasin përfundimisht pronat e tyre, por edhe të drejtën ligjore të pretendimin e saj. Qeveria e zotit Rama, synon që duke injoruar pushtetin vendor, por edhe sistemin e drejtësisë, ta shndërrojë trajtimin e pronës në një domen ekskluziv të tij. Në mënyrë të veçantë, nëpërmjet këtij ligji Rama i hap rrugën përmbushjes së objektivit të tij strategjik për tjetërsimin e statusit pronësor kryesisht në bregdet, por edhe në të gjithë vendin duke i privuar pronën pronarëve të ligjshëm dhe duke e vënë atë në shërbim të interesave të oligarkëve, klientë të pushtetit të tij personal”,- tha Vangjel Dule.