Duma: 9 kushtet e Bundestagut do të detyrojnë Ramën të ulet në dialog

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Grida Duma është e bindur se 9 kushtet gjermane do ta detyrojnë kryeministrin Rama të ulet për zgjidhur krizën politike. Në një intervistë për ABC News, Duma thekson se Partia Demokratike mund të vijë në pushtet përmes një procesi të koordinuar dhe transparent brenda së djathtës.

Grida Duma është e bindur se opozita pas 6 vitesh e ka arritur qëllimin e saj. Imponimi që Bundestagu gjerman ka bërë përmes kushteve te vendosura për çeljen e negociatave, për anëtëren e kryesisë së Partisë Demokratike janë sinjal i qartë se Edi Rama nuk mund të refuzojë më zgjidhjen e krizës politike.

“Nuk është më çështja a e pranon ose jo Rama këtë, tashmë ajo është e detyrueshme për të. Fakti që opozita shqiptare e bëri të mundur që të ishte e detyrueshme dhe e imponuar nga Bundestagu gjerman për momentin historik në hapjen e negociatave, pa dyshim që është meritë e parë, e themi kështu, sepse pa mbështetjen e ndërkombëtarëve s’do ta arrinim dot, meritë e parë është e opozitës shqiptare dhe e Partisë Demokratike”, u shpreh Duma.

Deputetja demokrate llogaridhënien e kërkon nga forca e saj politike. Pas 6 vitesh beteja opozitare brenda dhe jashtë institucioneve, Duma e sheh ardhjen në pushtet përmes një procesi të koordinuar dhe transparent brenda vetë të djathtëve.

“Në këto 6 vite është bërë mjaftueshëm duke shkuar drejt qytetarit, duke bërë zgjedhje të brendshme, zgjedhje pas zgjedhjesh, etj, etj,. Pra, PD-ja thuajse ka qenë në një modus zgjedhjesh dhe fushatash. Pa dyshim që momenti i radhës kërkon qartësi, qartësi dhe vetëm qartësi. Një strategji e cila të koordinohet mirë, që nga terreni dhe deri në hierarkinë e lartë të Partisë Demokratike dhe të gjithë kampit opozitar. Një koordinim i padiskutuar dhe transparent; një koordinim nga platforma ekonomike, e grupeve të punës të reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, pra çdo element që prek politik-bërjen tashmë duhet të jetë si të themi “një plan lufte””, thekson Grida Duma.

Duma: 9 kushtet e Bundestagut do të detyrojnë Ramën të ulet në dialog  | ABC News Albania

Kontributin në reformën zgjedhore e sheh si një hap pjekurie të Partisë Demokratike, por edhe në këtë rast sugjeron që garancia në proces të sigurohet nga ndërkombëtarët.

“Nuk mendoj që gjithçka që do të draftohet në letër do të jetë garanti i vetëm për të siguruar votën e lirë. e kemi thënë dhe do ta përsërisim, por kjo nuk do të thotë që të mos kuptohet momenti i përgjegjshmërisë politike që kemi në këtë moment. Reforma zgjedhore duhet draftuar deri në fund dhe me seriozitetin e plotë dhe duhet të shkojë me konstruktivitet edhe nga Partia Demokratike me mbështetjen e plotë të ekspertizës së ndërkombëtarëve”, thekson Duma.

Bindjen e ka se ndryshimi i sistemit zgjedhor do të ishte një hap pozitiv, por vendimmarrjen për këtë nismë e lë në gjykimin e opozitës së bashkuar.

“Duhet të jemi të hapur të diskutojmë për ndryshime dhe në sistemin zgjedhor. Nëse kjo do të ndodhë do të jetë një lajm i mirë për mua. Nëse kjo nuk do të ndodhë dhe Partia Demokratike do të qëndrojë tek Kodi, ky është një diskutim që duhet parë në vijim”, u shpreh Duma.

Rikthimin e ish-funksionarëve të lartë të PD nuk e sheh si problem, por kërkon që për hir të aksionit opozitar të ketë një përpjesëtim të drejtë mes kontributit dhe vlerës që gjithsecili ka në parti.

“Një parti si Partia Demokratike pa dyshim ka nevojë për të gjitha kontributet. Por besoj, gjithashtu, që kontributi duhet të akomodohet bashkë me vlerën e vet. Absolutisht, dhe do ta theksoj gjithmonë këtë, që nuk e zëvendëson asgjë eksperiencën: atë në ekzekutiv, në qeverisje, eksperienca në parti politike, në fushata zgjedhore, eksperienca në terren. Nuk e kemi luksin që t’i humbasim këto. Por duhet të kemi kujdes që eksperienca të kombinohet me kontribute dhe me atë që është dhënia dhe angazhimi në opozitë”, u shpreh Duma.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi fundjavën që lamë pas strukturat më të larta të PD dhe kërkoi nga të gjithë mobilizim për zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij kriza politike është në fazën finale të zgjidhjes së saj.

SHKARKO APP