Duma: Durrsakëve do u kthejmë plazhin e tyre
Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e lagjes 12 mbi programin e saj për rivitalizimin urban të lagjes së tyre. Duma tha se brenda 6 muajve do të normalizohet situata me ujin e pijshëm ku do të ketë të paktën 3 herë në ditë. Ajo shtoi se plazhi nga Currilat tek Porto Romano do t’u kthehet në plazh publik për qytetarët durrsakë. Kandidatja e djathtë u shpreh se ndihma ekonomike do t’i jepet kujdo që i takon dhe se synimi i saj është që çdo familje të ketë të paktën një person të punësuar. Duma ngriti edhe shqetësimin e varrosjes së historisë së qytetit siç ishte rasti me lagjen antike në lulishten 1 Maji e cila u betonizua.
“Nga Currilat në Porto Romano do kthejmë plazhin publik. Do kthejmë plazhin për qytetarët e Durrësit është i veti sepse s’ka mundësi që sot të mos kesh një vend të vogël që të vendosësh çadrën. Në 6 muaj do kthejmë furnizimin ujë me të paktën 3 herë në ditë. Ndihmën ekonomike, premtim prej nëne, do ta marrin të gjithë. Ashtu siç kam thënë që në fund të katër vjeçarit çdo familje do të ketë një të punësuar. Duhet ta kishim sot lulishjen 1 Maji, ashtu siç ka Pompein pjesa tjetër e botës sepse ashtu ishte. Nuk ka njeri në botë që pranon të zhdukësh ashtu atë pasuri e cila sot është e zhdukur. Ashtu siç nuk ka njeri në botë që të fillojë me standardin e rrugëve elektorale”, tha Duma.
Me banorët e kësaj lagje, kandidatja e djathtë foli edhe për përmirësimin cilësisë së jetës dhe administrimit të godinave.