Duma: Në fund të mandatit të parë, 15 mijë vende të reja pune
Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë Durrës Grida Duma ka premtuar se nëse zgjidhet në krye të bashkisë në fund të mandatit çdo familje në këtë qytet do të ketë të paktën një person të punësuar duke thënë se do të hapen 15 mijë vende të reja pune.
“Është besimi absolut që pas 21 Qershorit, pas fitores tonë do të fillojmë një rrugëtim që ka emrin vetëm punë. Në fund të katër viteve do të kemi një rezultat me 15 mijë vende pune, ku çdo familje e bashkisë së Durrësit duhet të ketë së paku një të punësuar”, tha Duma.
Duke paraqitur programin e saj para banorëve të Shkozetit, kandidatja e PD-së u zotua se do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë hapësirave të gjelbra.
“Të gjitha hapësirat mes pallateve dhe shtëpive, në çdo 1 mijë metra katrorë minimalisht 400 metra gjelbërim, minimalisht 8 deri në 10 stola në 200 metra hapësirë dhe në çdo hapësirë me pallateve të këtyre dimensioneve duhet të ketë një kënd lojërash normal”, u shpreh ajo.
Duma u shpreh se modeli i saj është krejt ndryshe nga kundërshtari i cili punët publike i trajton si private.
“Këta flasin krejtësisht të kundërtat me atë që bëjnë dhe ajo që të shqetëson më shumë është niveli i mashtrimit. Njerëzit i kanë mashtruar në skajin më ekstrem. Kanë filluar të aplikojnë gënje trashë se kanë filluar ta besojnë”, tha ai.