Duma në lagjen 11: Të paktën 1 i punësuar për familje

 

Në vijim të prezantimit të programit të saj për bashkinë e re të Durrësit, Duma ka vënë theksin te punësimi, rivitalizimi i lagjeve, transporti publik dhe marrëdhënia me biznesin. Do ju sjellim standardet u tha Duma banorëve të lagjes nr 11.

Kandidatja e APPD për bashkinë e Durrësit, Grida Duma gjatë turit të prezantimit të programit me banorët e lagjes nr 11, ka theksuar objektivin e saj për hapjen e 15 mijë vendeve të punës, ku çdo familje të ketë të paktën një të punësuar.

Kandidatja e djathtë foli mbi programin për rivitalizimin e lagjeve me gjelbërim dhe të gjithë standardin e duhur.

“Në një vit e 8 muaj do të mbarojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve, do ndajmë ujërat e zeza nga ujërat e bardha dhe do mbyllim 3 kanalet që sot janë gangrenë dhe një situatë infeksioni dhe sëmundjesh. Në një vit e 8 muaj ne do të mbarojmë me gangrenën që ka mbi 20 vjet që vazhdon. Në çdo lagje do kthejmë standardin e lagjes tip ku mes pallateve nëse është nga 500 në 800 metra katrorë ne do të kemi minimalisht 400 metra katrorë gjelbërim pa u frikësuar fare si do ta bësh këtë se nuk ka njeri që nuk e di që një metër katror beton apo pllakë është 7-fishi i një metri katrori gjelbërim dhe bar. Pa u shqetësuar se si do të bëjmë ne që në çdo lagje të ketë një minipark lojërash ku të ketë një shilarëse siç kanë qenë në situatat e qyteteve normale me stola ku të kemi mundësinë të kemi edhe ndriçimin e përhershëm. Çdo rrugicë e bashkisë së Durrësit do jetë e ndriçuar”, tha Duma.

Për Grida Dumën, pas 21 qershorit do të ndryshohet marrëdhënia me biznesin duke marrë si shembull gjobitjen nga ana e bashkisë aktuale.

“E dini kush është zëri në buxhet që e parashikojnë dhe e planifikojnë më mirë se sa të gjitha ?! Është zëri të ardhurat nga gjobat. Të ardhurat nga gjobat ishin 120 milionë lekë dhe ishte i vetmi zë që ishtë plotësuar i gjithi. Kishin marrë 120 milionë lekë gjoba aq sa e kishin parashikuar se do të kishin qënë gjobitjet  që në fillim të vitit. Kjo është sjellja me biznesin dhe pastaj thonë se me çfarë do ti hapë vendet e punës. Grida Duma thotë 15 mijë vende pune ku 30 % e taksave do të ulen në momentin e parë në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak. Që taksa e pasurisë do zbresë deri në nivelin mundësisht të 150 lekëve. Kur të hapim vende pune, të gjitha nënat që janë kryefamiljare që për një arsye apo një tjetër disa nuk jetojnë me parnerët e tyre, disave u kanë vdekur e disa rrisin fëmijë jetimë, e disa që janë të punësuara të vetme në jë familje, të gjitha ato që punojnë në ndërmarrjet fason, bashkia do të ketë fondin e subvencionimit të sigurimeve”, tha Duma.

Në lidhje me transportin publik, Duma tha se menjëherë do të shtohet fluksi i autobusëve për të plotësuar nevojat në bashkinë e re të Durrësit. Kandidatja mori mbështetjen e banorëve, ku një e moshuar kishte ardhur posaçërisht për t’i dhënë votën.

“Kam 20 vite që familjarisht jetoj në Greqi. Erdha vetëm për t’i dhënë votën Gridës”.

SHKARKO APP