Duma: Oferta e Berishës për grupin e Alibeajt është e sinqertë. Demokratët nuk duan ndasi

Deputetja e PD-së, Grida Duma, ofertën e Sali Berishës për grupimin e Alibeajt për të shkuar me një draft të përbashkët për Reformën Territoriale e quan të sinqertë dhe të domosdoshme. Duke e përjashtuar veten nga palët në parti, Duma thekson se ka shumë deputetë të tillë që kontributin e tyre e lidhin me votuesit.

”E shoh si logjikë e domosdoshme e një kohezioni të plotë që duhet të kemi në zgjedhje. Gjithë kampi opozitar duhet të përqendrojë forcat dhe kampi opozitar duhet të jetë i unifikuar. Do të bëj aq sa është në mundësinë time për të dhënë kontributin tim ndaj kësaj qasjeje. Të kthejmë detyrimin te njerëzit që presin fitoren në shumë bashki të vendit dhe që janë pararendje e zgjedhjeve të përgjithshme.

Si unë ka shumë deputetë të tjerë që nuk e lidhin kontributin e tyre me palët por me votuesit e tyre. Ka deputetë që janë të lidhur me terrenin e kanë më të lehtë dhe ka deputetë që lidhjen me votuesit e kanë jetik. Për ne ku do të jemi do të jemi të unifikuar. Nuk kam arsye të mendoj pse nuk është i sinqertë, nëse do të ndërtohet ky draft ne kemi prodhuar një finale që është e përbashkët”,-tha për ”A2cnn”.

Nga ana tjetër, ajo u shpreh me rezerva kur u pyet nëse ka kusht nga ndërkombëtarët për të mos bashkëpunuar me Berishën, pasi sipas saj çështja e momentit sipas saj nuk është kjo, por kandidatët e opozitës për zgjedhjet lokale. Duma mohon përçarjen në bazë dhe thotë se demokratët nuk duan ndasi. Duke kujtuar precedentin e 6 marsit ajo shpreson që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët.

SHKARKO APP