Duma: Rama kuron familjarët në spitale private, qytetarët vuajnë mungesën e ilaceve
Politikë E Shtunë, 3 Prill 2021 21:12
Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po mashtron qytetarët shqiptarë në lidhje me investimet në sistemin shëndetësot. Një ditë pas një video të publikuar nga Rama, ku shfaqen dy pamjet e QSUT-së, një gjatë qeverisjes së demokratëve dhe tjetra me transformimin që i ka ndodhur qendrës spitalore gjatë qeverisjes së tij, ka reaguar PD përmes Grida Duma.
"Edi Rama i ka shtuar një plagë tjetër shëndetësisë e cila gjendet sot në ditën e saj më të keqe. E ka bërë këtë duke tentuar të mashtrojë publikun me një video të kuruar me kujdes në montazhin e Kryeministrisë.
Me këtë video spekullim ku janë bashkuar copëza nga investimet e qeverisë së mëparshme, tenton të tregojë një parajsë që nuk ekziston, dhe aq më pak të krijuar nga ai.
Eshtë plagë e shtuar kjo, kur tenton të servirësh një realitet që nuk ekziston, një video që mallkohet cdo ditë nga mijëra qytetarë të vendit që shohin e prekin nga afër në fakt, krejt të kundërtën e asaj që propagandon nga sarajet e tij të pushtetit, kryeministri.
Në vend që të kurojë problemin, shqetësimin më madhor që kanë sot qytetarët, Edi Rama zgjedh të largohet gjithnjë e më shumë, zgjedh ta infektojë gjithnjë e më shumë shëndetësinë me montazhet mediatike të tij.
Video-mashtrimi që publikoi dje tregon dështimin që ai nuk e pranon në kokën e tij dhe e zëvendëson me zhvillime virtuale videosh. Sot asgjë nuk shkon mirë në spitalet tona, dhe asnjë ditë nuk ka qënë kaq keq shëndetësia sa me Edi Ramën.
Këtë e konfirmon vetë Kryeministri i cili kur i duhet domosdoshmërisht të shkelë në spitale për vete ose familjarët e tij, nuk zgjedh spitalin publik të rilindur sipas tij, por zgjedh ose klinikat jashtë vendit, ose spitalet private", theksoi Duma.
Sipas saj, kur qytetarët lëngojnë në mungesën e ilaceve, sëmuren më shumë në mungesën e ngrohjes, kur një e mitur abuzohet seksualisht në urgjencën e spitalit, kur mjekët dhe infermierët, ata që janë profesionistë e me integritet do të merren në provim nga diletantët e qeverisë, të publikosh një video-mashtrim të prodhuar në montazh kryeministror është provokimi më i ulët, më i papranueshëm.
"Ky akt publik i kryeministrit u prit me përbuzje nga publiku dhe u kthye mbrapsht. Mjafton të shihni komentet që janë bërë në Facebookun e Kryeministrit, në atë që është tashmë aktiviteti i tij kryesor.
Refuzim masiv qytetar përzier me neveri. Dhe kështu do të jetë.
Kjo klikë që ka mashtruar me shëndetësinë falas, që ka braktisur qytetarët në ditën e tyre më të keqe, që i sheh spitalet dhe shëndetësinë vetëm si një ndërmarrje të madhe pasurimi e monopoli shërbimesh, ka për t’u refuzuar me përbuzje", theksoi ajo.