Duro dhe pak KOSOVE…
Nga Monika Stafa-
Duro dhe pak KOSOVE…
Per inat te asaj corbe qe “Maestrot” kane deshire ta servirin ne kurriz te shqiptareve gati cdo dekade.
nje shkrim i imi me poshte ca vite me pare.
EJA ZDRAVKO DHE VETEM KENDO
Një dekadë më parë, në pranverë të vitit 2003, “New York Times” botoi në faqen e parë të tij një apel të katër liderëve të Ballkanit, presidentëve të Kroacisë dhe Maqedonisë dhe të kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë.
Europa Juglindore dhe BE-ja kanë nevojë për njëri-tjetrin!
Me sa kujtoj ndihej një lloj parfumi lirie nga gjaku i rëndë që ish derdhur në Ballkan fundshekullin e shkuar, por plagët nuk ishin kuruar ende. Zoran Xhinxhiç, Kryeministri i Serbisë që i kish dorëzuar Sllobodan Millosheviçin, Gjykatës së Hagës, u vra nga anëtarët ultra-nacionalistë të forcave serbe të sigurimit.
Kroacia kishte nisur rrugën e saj të procesit të aplikimit për t’iu bashkuar BE-së dhe po shënonte shtetin e parë perëndimor ballkanik që do ta kryente atë.
Mikpritësi, Greqia, atëherë presidente e radhës së BE-së, u lodh shumë të merrte një angazhim europian për zgjerimin e vazhdueshëm të Ballkanit.
Serbia ishte në zgrip, ultranacionalistët e saj ndiheshin të gjallë. E ardhmja e Malit të Zi dhe e Kosovës nuk ishte zgjidhur ende. A do të mundte BE-ja, që pas zgjerimit të saj në 2004-n në Europën Qendrore, të lodhej një hop nga zgjerimi i mëtejshëm?
Një apel i liderëve të Ballkanit u lëshua: “Sa kohë Europa Juglindore të jetë e gjitha e integruar në Bashkimin Europian, detyra nuk është kryer. Dhe deri sa ajo nuk është kryer, Europa vetë nuk mund të ndihet e sigurt, as për veten”.
Një dekadë më vonë ku jemi ne?
Mali i Zi dhe Kosova së fundmi janë shtete të pavarura; frika e konfliktit të armatosur në rajon prej kohësh gjendet e shkruar vetëm në teza studimi, referate dhe kumtesa shkencore.
Disa vite më parë pata shkruar se, pa dyshim, me shpalljen e Pavarësisë, Kosova do të bëhej e pavarur plotësisht nga Shqipëria. Sa do të bëhej e pavarur edhe nga Serbia, kjo mbetej një çështje e hapur, përderisa rezoluta 1244 mbetej ende në fuqi.
Por le t?i bëhej mbarë Kosovës kjo pavarësi e shkallëzuar dhe e njëanshme, mjafton që të arrinte deri te shtetësia. Atëherë nuk e kisha menduar kurrsesi se do të vinte një ditë dhe do të shihja se, në emër të pavarësisë, kufiri do të vendosej jo vetëm në hartat gjeopolitike, por edhe mes përmes kulturës, trashëgimisë, historisë, artit dhe, mbi të gjitha, mu mes përmes këngës.
Ditë më parë, vizita e këngëtarit të njohur serb Zdravko Çoliç në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ka pasur jehonë të madhe në mediat në Serbi dhe Shqipëri, por jo aq shumë në mediat kosovare dhe në mjediset po aq të lartme kulturore atje.
Po çdo të thotë “mediat kosovare dhe mediat shqiptare” i thosha vetes nënzëshëm?
Me gjithë përpjekjet e mundimshme për t?i gjetur një shpjegim pragmatist, nuk më ftillon mendja asgjë.
Kisha asistuar në dhjetëra simpoziume ndërkombëtare mbi diversitetin dhe bukuritë që sillte ai në mendjet e hapura të një shoqërie progresiste, mbi minoritetet dhe integrimin e tyre në një shoqëri syhapët dhe jetëgjatë në rrathët e saj me frymëmarrje lirie, mbi çlirimin nga kufijtë tokësorë dhe po aq të atyre të mendjes e mendësisë dhe më ishte dukur sakaq krejt bindëse nisma e autoriteteve të të gjitha palëve qeveritare, Rama, Thaçi dhe Daçiç dy muaj më parë në Londër, për të marrë pjesë në një konferencë rajonale në nivelin më të lartë të Bankës Europianë për Rindërtim dhe Zhvillim mbi investimet në Ballkanin Perëndimor e për të shkuar më tej, një vizitë e pritshme e Ramës në Beograd.
Po ky qëndrim çdo të thotë tani?!
Ky është kufiri që po e vendosim vetë, mendova me trishtim. Ky është kufiri që nuk na e ka kërkuar askush. Sepse kultura shqiptare, kudo që zhvillohet, ka të drejtën e një jete pa kufij po aq sa kultura gjermanike (me shtrirje edhe në Austri e Zvicër), kultura hispanike (me shtrirje në dy kontinente) dhe shumë kultura të tjera.
Kujt po ia caktojmë kështu kufirin, traun e doganës; kujt po ia tregojmë vendin, kohën, muajin, kalendarin; kujt po ia rregullojmë me kalendar praninë dhe mospraninë?
Rruga drejt europeizmit nuk shkon nëpër shtigje të tilla, duke iu larguar problemeve, duke pohuar se nuk jemi dakord, por duke e çaktivizuar rrezikun, nëse është me të vërtetë i tillë.
Shembulli më i mirë, modeli i ndërtimit të Europës së re, është kjo konferencë e të tjera me radhë që pritet të organizohen, bienale dhe koncerte në arena të hapura mbushur me artistë dhe pritje e dy a më shumë palëve të një niveli të tillë, vetëm do e rrisnin krenarinë dhe dinjitetin e një shqiptarie në një mëri të mënjantë e jo më, të ish një turp për ne, si mëtoi të na quante një i ftuar në panelin e një emisioni televiziv.
Franca dhe Gjermania u bënë të denja për të jetuar nën një çati europolitike, pasi kapërcyen armiqësinë shekullore për Alsas-Lorenën. E njëjta gjë ndodhi me Italinë dhe Austrinë, që bindën veten dhe njëra-tjetrën se Tiroli nuk kishte pse t?i ndante, kur mund t?i bashkonte.
Ashtu si ushtritë e vjetra romake, që duhej ta kalonin Rubicon-in të çarmatosur, ashtu shtetet që formuan Europën çarmatosën mendjet e tyre dhe minimizuan rolin e kufijve.
Dhe Rubicon-i i serbëve dhe shqiptarëve është pikërisht Kosova dhe kjo mëri, në këtë rast e tyre, ndaj këngëtarit me balluke të gjatë mbi krye e me rrëzëllitjen që i vinte tek këndonte Esman.
A mund të quhet i kaluar ky prag historik nëse i shmangesh përballjes së realitetit dhe mjaftohesh duke pranuar ndryshimin në qëndrime me tjetrin?
A është kjo rruga europeizuese e politikave të vjetra ballkanike? Pyetje të mbrapshta më erdhën në mendje. Tani po na del se paska dy kultura shqiptare. Njëra e këtushme dhe tjetra e atjeshme.
Njëra e Kosovës dhe tjetra e Shqipërisë. Këtë ndjesi solli ofshama e të paktëve që reaguan njëzëri kundër ardhjes se serbit Zdravko e që u orvatën ta injoronin madje thekshëm cilësinë e këngës së tij, të ëmblat nota që i rrotullonim mbi krye, pasditeve të të dielave shqiptare atëherë kur ishim të pangopur pafundësisht me ngjyra kënge, një lloj diversifikimi melodish për të cilin kishim aq shumë nevojë.
Kurse kjo shpallje këtu, në qendër të Tiranës, ky panel pra dukej qartë se nuk i referohej ndonjë koncepti klasor.
Bota po idealizon globalizmin në dëm të identiteteve.
Atëherë çfarë është? Përveçse mediokritet, natyrisht!
E trishtueshme për ta pranuar, por kjo mund të ndodhë edhe me gjysmat e ndara të të njëjtit popull, sidomos tani që po i caktojmë vetvetes kufij të rinj shtesë, që nuk na i ka kërkuar askush.
Me himn ndryshe, me shenja ndryshe, me flamuj ndryshe, dy vende mike, dy shtete fqinje, dhe tani edhe një kufi midis dy kulturash!
Por i njëjti komb! Sa qesharake tingëllon!
Nëse duam ta shohim realitetin në sy, mirëkuptimi dhe europeizmi shqiptaro-serb do të kishte kuptim dhe do të ishte i besueshëm nëse Zdravko do të pritej më shumë se nga një palë, më shumë se nga një kulturë, më shumë se nga një institucion.
Liderët e BE-së nuk i shqetëson më frika e luftës në Ballkan. Shumëçka për ta, është pikërisht sistemi korruptiv me të cilat mbahen institucionet tona, krimi e rendi dhe padyshim kufijtë e mendjes, muri në mes dhe kujtimet e nxehta të së djeshmes, gjuha e urrejtjes dhe “mënia” e etnotipit të kësaj pjese të Europës që me gjithë varfërinë e tyre të tejskajshme ekonomike?financiare, e mirëpresin rajonin edhe me refuzime të tilla këngësh mes fqinjëve.
Ndoshta kjo nuk është koha për apele, aspak, si atëherë kur sapo kishim lënë pas jo më një luftë, por koha për një reflektim të thellë e të ndershëm: një dekadë e humbur që nga samiti i katër liderëve të rajonit në Athinë.
Tjetri duhet të vijë sa më shpejt!
Kësaj radhe me ftesën par excellence të një vendi në rrugën e pakthyeshme drejt një Rendi të Ri:
“Eja Zdravko dhe vetëm këndo!”.
PRILL, 2014