Durrës/Basha takim me banorët e prekur nga tërmeti: Do të hetojmë abuzimet me rindërtimet (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të diel një takim me banorë të dëmtuar nga tërmeti në Durrës. Në bisedën që patën me kreun e PD-së banorët u shprehën se edhe pas një viti e gjysmë, ende nuk kanë gjetur zgjidhjen përfundimtare për banesat e tyre. ”Ne si banorë, unë i përfaqësoj 285 familje. Ka kaluar një vite e gjysmë dhe akoma nuk dimë akoma fatin e pallatit tonë. Pallati jonë kishte vetëm pesë vjet që ishte ndërtuar dhe është në këtë gjendje që ne e shikojmë sot DS4. Nuk dimë se çfarë do të bëhet më të thuhet që do bëhet, është bërë një projekt nga ana e banorëve dhe firmës së ndërtimit, është paguar nga firma”,-u shpreh një qytetare.

Ndërsa një tjetër banore u shpreh ”Unë jam banor i lagjes 13, rruga “Pavarësia”. Objekti im, ti sapo i përmende rrënojat, por rrënojat i kam në pallat në kat të par, po të tregoj disa foto këtu ti do të tmerrohesh. Objekti ka patur DS2, që nuk meriton të dal DS2, se kush e ka nxjerr nuk e dimë dhe nuk na ka ardhur asnjë person që ta verifikoj objektin. Edhe ne jemi me qira që në qershor, bonusin e qirasë ne nuk e marrim as qira asnjë gjë. Ndejta 5, 6 muaj, u detyrova të futem në banesën time, e rregullova jam në kat të katërt banim, por deri në kat të tretë unë shkoj me rrënoja si këto që sheh ti këtu, unë i kam nëpër shkallët e mia. Qiraja është prerë, të gjitha janë prerë, dhe ne nuk kemi shpresa më”.

Basha tha se nëse vjen në qeveri pas 25 prillit, së bashku me ekspertët më të mirë të fushës së arkitekturës dhe nixhinierisë, do të përshpejtohet procesi i rindërtimit, që sipas sij, ka mbetur në vendnumëro. Ai gjithashtu tha se të gjithë personat që kanë përfituar nga tërmeti në mënyrë të padrejtë, do të hetohen nga një komision të posatshëm parlamentar.

“Jo vetëm kemi menduar një plan por ne kemi sjellë së bashku ekspertët më të mirë të vendit. Emra shumë të njohur, arkitektë, urbanistë, inxhinierë, konstruktorë, figura të njohura kombëtare me përvojë të jashtëzakonshme përfshirë këtu edhe durrsakë, të cilët janë trajnuar apo rikualifikuar në qendrat e ekselencës në Europë, në disa prej fushave kryesore që kanë të bëjnë me rindërtimin, në planifikimin dhe riplanifikimin urban, në fushën e arkitekturës dhe të inxhinierisë së ndërtimit dhe në fushën e rikuperimit nga fatkeqësitë natyrore, nga tërmeti dhe nga fatkeqësitë natyrore në tërësi. Është një grup që përbëhet nga afro 50 ekspertë, të paktën gjysma e të cilëve janë inxhinierë me përvojë dhe pjesa tjetër siç ju thashë mbulojnë këto fusha të tjera që kanë të bëjnë edhe me pjesën urbanistike, pjesën e rikualifikimit urban, pjesën e trajtimit të veçantë që i bëhet siteve, vendeve të goditura nga fatkeqësitë natyrore.

Detyra kryesore që iu është dhënë është si do të përshpejtojmë procesin e rindërtimit, i cili si çdo gjë në vend ka mbetur peng i interesave korruptive, ka mbetur peng i interesave financiare dhe i lobingjeve personale dhe vetjake të një grushti pushtetarësh dhe një grushti tjetër njerëzish të lidhur me ta. Jo vetëm kaq, por ky grup pune ka marrë për detyrë që të hartojë edhe një dokument i cili do të provojë bazën e një bashkëpunimi të ri me Bashkimin Europian dhe donatorët e tjerë. Siç e keni vënë re dhe ju nga konferenca e donatorëve deri më sot lëvrimi i fondeve ka qenë pothuajse inekzistent, arsyeja për këtë është fare e thjeshtë, nuk kalojnë muaj pa u botuar raportet ndërkombëtare që e cilësojnë qeverinë e Edi Ramës më të korruptuarën në botë.

Thënë me dy fjalë korrupsioni i kësaj qeverie po i ndëshkon durrsakët dhe zonat e goditura nga tërmeti dyfishë. Në bisedat e mia me zyrtarët e lartë të perëndimit nuk më është dashur të futem thellë sepse i kanë ditur vetë shembujt se si janë grabitur për shembull tokat e shkollave për të bërë pallate apo se si janë zhvendosur pronarët e banesave të shkatërruara drejt zonave pa vlerë në mënyrë që trualli ku qëndronte më parë pallati i tyre të grabitej dhe të përdorej për interesa korruptive madje edhe për pastrim parash në bashkëpunim me krimin e organizuar. Pra drama që kemi përjetuar këto 8 vite me rastin e rindërtimit është dyfishuar, ndaj grupi i punës që kemi ngritur ka dy detyra kryesore.

Të bëjë gati planet dhe punën e tyre me qëllim përshpejtimin e procesit të rindërtimit, i cili ka mbetur në vend siç ka mbetur gjithë Shqipëria. Dhe së dyti garantimet që fondet që janë zotuar se do ti japin Shqipërisë të lëvrohen dhe këto nuk do të lëvrohen pa ardhur ndryshimi. Nuk do të ketë ndryshim në Shqipëri dhe nuk do të ketë asnjë fije ndryshim në procesin e rindërtimit, pa u larguar kjo qeveri dhe ky kryeministër. Kështu që thirrja që kam për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti është që ashtu siç nuk janë gënjyer nga shfaqjet e bezdisshme dhe të turpshme dhe të paligjshme që po mundohet të na e shesë si sukses dhe si fushatë, kryeministri në ikje.

Ashtu të mos gënjehen në këto ditë që kanë mbetur. Më 25 prill garancia që procesi i rindërtimit të ecë me shpejtësi në të gjitha aspektet, qoftë në shtëpitë individuale, në qytet apo në fshat, qoftë në pallatet e banimit në ndërtesat e mëdha në qytete, garancia e vetme është ndryshimi, është të votojmë për ndryshimin dhe ti hapim rrugë një ekipi ekspertësh dhe jo një ekipi hajdutësh. Edhe abuzimet e bëra deri tani të jeni të sigurt që do të referohen dhe do të ndiqen me përparësi, brenda tagrit të ekzekutivit të nesërm, brenda tagrit të parlamentit të nesërm. Parlamentarët tanë nga Durrësi, parlamentarët tuaj në parlament që në këtë moment që janë kandidatë, më kanë kërkuar dhe kanë nisur formulimin për të hedhur hapat që janë në tagrin e parlamentarëve për të hetuar në nivel parlamentar por edhe në nivel penal të gjitha abuzimet që janë bërë deri më sot me rindërtimin”,– tha Basha.

SHKARKO APP