“Durrësi i Ri”, kryeministri Rama e Dako shpërndanë sot 1000 + 1 leje legalizimi

Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga zona e Kënetës në Durrës se qeveria aktuale po jep në një vit punë dyfishin e lejeve të legalizimit, krahasuar kjo me kohën kur qeveriste PD-ja. Kjo zonë, shtoi kryeministri Rama, tashmë meriton të quhet “Durrësi i Ri”, pasi premtoi se do të bëhet model i zhvillimit urban dhe social. – “Jemi këtu për të çuar para një proces legalizimesh që për vite me radhe ka pasur shumë dyshime. Në 8 vjet qeverisja e PD dha 530 leje legalizimesh në këtë zonë. Në më pak se një vit punë konkrete të ALUIZNI-t në arrijmë të japim më shumë se dyfishin. Jemi këtu për të dorëzuar 1001 leje nga një proces ku deri tani janë kryer 60% e matjeve dhe e dokumentacionit të nevojshëm për ta çuar para procesin. Me këtë ritëm në 4 vitet e ardhshme ne do mund ta përmbyllim procesin e legalizimit në zonën e kënetës dhe gjithë ata që kanë ndërtuar do jenë pronar të ligjshëm të shtëpisë së tyre. Do gëzojnë të drejtën e fituar me vite të tëra mundi e sakrificash. Me kursime dhe para të vëna mënjanë për të ndërtuar shtëpinë pas shumë vitesh do bëhen zotërues të një titulli të ligjshëm pronësie”- u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama gjithashtu ka lëvduar kreun aktual të Bashkisë, Vangjush Dakon, për të cilin ka shprehur bindjen se do të jetë në detyrë edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit. – “Jam i bindur që me kryetarin e bashkisë në detyrë sot e në detyrë pas zgjedhjeve, ashtu si kemi përmirësuar infrastrukturën e kësaj zonë, do ta kthejmë zonën e Kënetës në një lagje që e meriton të quhet Durrës i Ri”, theksoi më tej Rama.

Ndërsa kreu aktual i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, një ditë pasi PS-ja e zyrtarizoi si kandidaturën e saj për garën vendore për bashkinë e qytetit bregdetar, ka falënderuar kryeministrin për besimin që i dha për një tjetër mandat. Kryebashkiaku Vangjush Dako ka qenë ai që ka dhënë lejen e parë. “Jam shumë i lutur që pas dy viteve premtim që dhamë në këtë zonë, vijmë sot dhe shpërndajmë 1001 e leje”, ka thënë Dako.

SHKARKO APP