DW: BE debaton ende për biliona euro. Distanca në Bruksel nuk është vetëm fizike, por edhe në qëndrime

Ajo që ra në sy në fillimin e ditës së dytë të samitit të BE (18.07) ishte heshtja. Asnjë nga krerët e qeverive dhe shteteve të BE nuk doli para kamerave për të dhënë një prognozë për ditën e dytë të negociatave. Aktualisht debatohet për fondin e rimëkëmbjes për Coronën në vlerë 750 miliardë euro dhe buxhetin financiar të BE deri në vitin 2027 në masën e 1100 miliardë eurove. Heshtja kuptohet: Në ditën e parë të samitit nuk pati asnjë afrim në pozicionet e largëta mes 27 vendeve anëtare e asnjë shenjë shprese.

Holanda kërkon “garanci absolute”

Kryeministri holandez, Mark Rutte foli natën e së premtes për një atmosferë të tensionuar, që ishte ashpërsuar edhe më tej. Rutte së bashku me vendet e tjera donatore si Danimarka, Suedia, Austria kërkojnë që grantet për fondin e rimëkëmbjes të jepen vetëm kundrejt kushteve shumë strikte. Përmbushja e këtyre kushteve duhet të „garantohet në mënyrë absolute”, si për shembull përmes vendimeve unanime, kërkoi kryeministri holandez. Vendet pritëse si Italia, Spanja, Greqia e refuzojnë këtë. Kryeministri italian, Giuseppe Conte e cilësoi qëndrimin holandez për veto si të papranueshëm. Kancelari austriak, Sebastian Kurz në një intervistë me ORF e vuri në pikëpyetje financimin e menduar në BE përmes borxheve të përbashkëta. Një “union borxhesh” nuk duhet të ketë, tha Kurz.

Sipas diplomatëve, drejtuesi i raundit të samitit, Charles Michel dhe presidentja e Këshillit të BE, Angela Merkel, pasi Gjermania mban presidenën e radhës, kanë përpunuar gjatë natës propozime kompromisi, që po diskutohen gjatë së shtunës në grupet e punës të krerëve të shteteve e qeverive të BE. Të premten, Merkel u shpreh spektike nëse do të arrihet tek një zgjidhje. Nëse ky samit dështon, atëherë deri në fund të muajit, duhet të ketë edhe një maratonë tjetër negociatash.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidentja e KE, Ursula von der Leyen kanë paralajmëruar nga pasojat katastrofale ekonomike të pandemisë dhe kanë kërkuar vendime të shpejta. “Kjo është shumë e rëndësishme. Shumëçka ndodhet në lojë”, tha von der Leyen. Kurse Macron bëri fjalë për një „orë të së vërtetës” për Europën.

“Dirigjentja e Europës”

Shpresa të mëdha në këtë samit lidhen me kancelaren Merkel. Ajo është kryetarja e qeverisë me më shumë vite përvojë qeverisjeje dhe për të tretën herë pjesëmarrëse në bisedimet për buxhetin e BE. Përveç kësaj Gjermania paguan pjesën kryesore në fondin e rimëkëmbjes. Ndoshta edhe për këtë arsye, presidenti lituanez, Gitanas Nausedsa i dhuroi presidentes së radhës, Merkel, një shkop dirigjenti. Merkel festoi 66 vjetorin. „Për një sinfoni të jashtëzakonshme europiane! Urime të përzemërta…dirigjentja e Europës 2020, shkroi Nausedsa në Twitter.

SHKARKO APP