DW: Brukselin apo Moskën? Vendos, zoti Vuçiç

Presidenti i ri i Serbisë është presidenti i vjetër. Tani rëndësi ka ajo që do të bëjë Aleksander Vuçiçi, i cili do ta fusë vendin e tij në BE e megjithatë qëndron besnik i fortë ndaj Moskës, mendon Volker Wagener.

A kishte pritur njeri gjë tjetër? Në realitet jo. Aleksander Vuçiçi, gjigandi me fytyrë fëmije, është fituesi i zgjedhjeve. Pavarësisht a do ta delegjitomosh atë nga jashtë si autokrat apo regjisor të një “demokracie hibride” – receta e suksesit të pushtetarit në post që prej dhjetë vjetësh ka të bëjë para së gjithash me ekonominë.

Megjithëse brezi i ri është gati për ta braktisur vendin, nëse nuk ka kohë që ka mbërritur në Vjenë apo në Frankfurt, zgjedhësit duket se e falenderojnë. Të ardhurat për frymë të Serbisë në pesë vitet e fundit u rritën në shumën e konsiderueshme prej 40%. Papunësia e shtetit me më pak se shtatë milionë banorë po bie, borxhi shtetëror është modest, rezervat në deviza të majme.

Pa ideologji drejt fitores

Kjo me sa duket ka sukses – në mënyrë shumë konkrete kur sheh frigoriferin dhe llogarinë bankare. Vuçiç, stabilokrati i kritikuar shumë herë, që u merr frymën medieve, që jep vende pune në bazë të përkatësisë partiake dhe që kontrollon policinë, shërbimet e fshehta dhe drejtësinë, zgjedhjet nuk i fitoi në asnjë mënyrë me patos nacionalist. Përkundrazi:

Politika e Vuçiçit është thuajse pa ideologji. Partia e tij Partia Serbe e Përparimit (SNS) vepron si lëvizje “catch-all”, që përqafon të gjitha dhe gjithçka. Opozitën ndërkohë ai e ka nxjerrë jashtë loje, nacionalistët ekstremë i ka margjinalizuar. Programi quhet “Vuçiç”, ai ka të bëjë vetëm me pushtetin.

Por tani ai duhet të vendosë. Brukselin apo Moskën?

Kursi i afrimit i Beogradit përballë Rusisë, i karakterizuar herë pas here si “dashuri patologjike”, po përjeton një test stresi në mes të luftës së Ukrainës.

Çështje identiteti

Sepse ata nuk e dinë se çfarë duan, mund të përshkruhet situata e Beogradit. Vuçiçi luan ngjashëm si dikur Tito midis Lindjes dhe Perëndimit. Nga rusët, shokët mjaft të mirë, Beogradi merr gaz me një çmim miqësor, por njëkohësisht ushqehet që prej 15 vjetësh me ndërkohë tre miliardë euro nga i ashtuquajturi Fond i Përafrimit me BE. Që prej vitit 2014 Serbia negocion me Brukselin për biletën e hyrjes në BE – në mënyrë irrituese të ngadaltë.

Pikërisht në këtë pikë tani vjen një vrull i ri në negociatat me gjysmë zemre të anëtarësimit. Lufta e Ukrainës ka ndryshuar shumë gjëra. Pas shumë kërkesave të përsëritura shumëvjeçare ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor – dera e BE është hapur tej e tej. Papritur nuk bëhet më fjalë në radhë të parë për garanci të shtetit ligjor, për medie të lira dhe për veprimin ndaj korrupsionit. Tani shtetet e Evropës Juglindore – në mënyrë fare të veçantë Serbia – duhet të mbrohen nga oreksi i Putinit. Por Beogradi duhet të vendosë.

Pak kritikë në drejtim të Moskës

Miku historik i sllavëve, Moska, është i dashur dhe i shtrenjtë për Beogradin. Vëllai ortodoks pengon prej kohësh, me veton e tij në Këshillin e Sigurimit, pranimin e Kosovës. Beogradi nuk ka dëshirë ta dorëzojë të ashtuquajturën “djep të serbizmit”.Faktikisht, Kosova është shpallur e pavarur që në vitin 2008. Gjë që Beogradi dhe Moska nuk e pranojnë, por që e pranojnë ndërkohë 100 shtete.

Në këtë kuadër nuk është për t’u çuditur që Vuçiçi e mbështet vetëm vjedhurazi rezolutën e OKB-së kundër Rusisë. Sanksione ai hezitoi të vinte, por atëherë vlenin ligjet e fushatës elektorale. Tani numërimi i votave përfundoi, burri i fortë u konfirmua në post dhe ai i morri të korrat politike.

Që prej tani, vlen pyetja: çfarë do të bëjë ai me rezultatin? Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës i jep Beogradit si dhuratë nga Brukseli një ofertë XXL mirëseradhjeje. Një shans historik – jo vetëm për shkak të kushteve. Serbia është evropiane dhe do të ishte mirë të bëhej evropiane e Bashkimit Evropian. Nga kjo do të përfitonte i gjithë rajoni.

SHKARKO APP