DW: Sanksionet do t’i dhembin shumë Rusisë!

BE në sfondin e përshkallëzimit në konfliktin Rusi-Ukrainë ka vendosur sanksione të reja. Edhe G7 dhe Britania e Madhe reagojnë me sanksione ndaj veprimeve të Moskës.

BE ra dakord, që 27 persona dhe institucione ruse, që kërcënojnë njësinë territoriale të Ukrainës, të përballen me sanksione, deklaroi i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Edhe bankat, që financojnë misionet në territoret e separatistëve janë të prekura nga këto masa. Qëllimi është që të kufizohet aksesi i shtetit rus në tregun e financave të BE-së. Sanksionetdo të hyjnë në fuqi këtë javë. Borrell theksoi, se sanksionet do „t’i dhembin shumë Rusisë”.

Sanksione edhe nga G7

Edhe vendet e industrializuara të grupit G7 kanë rënë dakord për një paketë sanksionesh të ashpra. „Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 dënuan ashpër shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga Rusia”, shkruan në Twitter ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss. Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve është rënë dakord për masa të koordinuara ndëshkuese me ashpërsim në rritje.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, deklaroi, se vendet e G7 dhe BE-ja janë në unanimitet lidhur me qëndrimin e mëtejshëm ndaj Rusisë. Baerbock tha, se ka parë „një vendosmëri të madhe” gjatë konsultimeve në Paris të shteteve të G7 dhe të BE-së. „Ne deshëm ta parandalonim këtë situatë”, por Rusia tani vendosi për të kundërtën.

Londra vendos sanksionet e para

Britania e Madhe reagoi pas përshkallëzimit të situatës mes Rusisë dhe Ukrainës me sanksione ekonomike ndaj Moskës. Kryeminisri Boris Johnson deklaroi në dhomën e ulët të parlamentit, se pesë banka ruse dhe tre oligarkë rusë do të ngarkohen me sanksione si: ngrirja e pasurive të tyre si ndalimi i udhëtimit të tyre në Britaninë e Madhe. Të tjera sanksione mund të pasojnë në rast se do të vazhdojë përshkallëzimi.

SHKARKO APP