Dy kandidatë për kreun e PD, Salianji: S’ka zgjedhje, por pengmarrje. Edhe në dasma mblidhen më shumë njerëz

Lulzim Basha dhe Gjergji Hani, janë në garë për postin e kryetarit të PD zyrtare, zgjedhje që do të mbahen më 29 korrik. Deputeti i PD-së, Ervin Salianji thotë se kemi të bëjmë me një pengmarrje të vulës dhe logos për ta kthyer partinë në shërbim të një individi.

“Mbledhja e një grumbulli të caktuar njerëzisht i mbledh kushdo. Në dasma mblidhen më shumë se aq njerëz. Por kjo nuk do të thotë se është këshilli kombëtar i PD. Kjo nuk i bën të kenë tagrin e këshillit kombëtar të PD. Aty kishte një grup demokratësh që kanë një mendim të caktuar. Pashë fytyra të tjera që nuk i kam parë ndonjëherë në PD. Kemi një pengmarrje të vulës së logos për ta kthyer në shërbim të një individi. Ne e kemi detyruar të dorëhiqet kur kemi qenë në mbledhjet e pas 6 marsit”, deklaroi ai.

Po ashtu deputeti pjesë e grupit të Rithemelimit, tha edhe se nuk ka as zgjedhje dhe as kandidatë por një proces që nuk i shërben demokratëve.

“Ç’lidhje ka ky me kandidimin për PD. PD është partia më e madhe e opozitës. Është një parti që edhe në ditën më të keqe mbledh 500 mijë votues. Nuk ka kandidatë, nuk ka proces, nuk ka zgjedhje, por një pengmarrje të PD për interesa të regjimit. Në këtë diskutimin e sotëm është e qartë që nuk ka as garë dhe as proces dhe nuk i shërben demokratëve”, tha Salianji.

SHKARKO APP