Dy koncesionarët e çiftit Berisha-Meta dhe “rusët” që zbulojnë “rus”
Nga Altin Shehu
Akuzat e Sali Berishës dhe Ilir Metës për lidhje të qeverisë së Edi Ramës me oligarkë rus që veprojnë në fushën e hidrokarbureve rezultojnë flluska sapuni e më keq se kaq janë një autogol për vet opozitën. Për ta kuptuar më thjesht situatën, së pari duhet thënë se kemi të bëjmë me dy kompani koncesionare: e para është Stream Oil e transformuar më pas në TransAtlantic Petroleum dhe e dyta është TransOil Group AG e transformuar më vonë nëTerraoil Swiss. Molla e sherrit midis tyre kanë qenë vendburimet e naftës e konkretisht Ballsh-Hekali, Gorisht-Koculi dhe Cakran-Mollaj.
Në vitin 2007, Qeveria Berisha ja jep pa garë dhe me vendim qeverie shoqërisë Stream Oil and Gas Ltd me qendër në ishujt Kajman këto vendburime të naftës e gazit. Stream Oil është një kompani për të cilën në publik ka patur që në atë kohë akuza se ishte e lidhur me familjarë të Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha dhe personi që administronte koncesionin ishte bashkëjetues në atë kohë me deputeten demokrate Albana Vokshi. Në 2014, Stream Oil kalon në pronësi të Trans Atlantic Petroleum bashkë me vendburimin e gazit të Delvinës.
Ndërkaq, kompania tjetër “TransoilGroup AG” që prej Dhjetorit të vitit 2011 në qeverisjen e Sali Berishës mori nën kontroll vendburimin e Visokës duke ja blerë atë kompanisë IEC Visoka (BVI). Kjo është kompania e cila ka pas saj Shefqet Dizdarin i përfolur sëfundi për lidhjen e tij me Agron Nezën, Dorjan Duçkën dhe ish-kreun e zyrës së kundërzbulimit në FBI Charles McGonigal.
Aksionet e Stream kaluan në disa duar derisa në fillim të vitit 2016, koncesionari tanimë në emrin TransAtlantic Petroleum kishte krijuar një borxh prej 27 milion USD ndaj shtetit shqiptar, u tentua që ato të shiten tek një tjetër kompani guackë e lidhur me Sali Berishën dhe Ilir Metën, tek GBC Oil në pronësi të Naim Kasës që kishte marrë nga dyshja Berisha-Meta edhe 9 marrëveshje të tjera hidrokarbure me shoqërinë Phoenix Petroleum. Pas kompanisë TransAtlantic Petroleum vazhdonin të qëndronin të njëjtët aktorë që kishin patur Stream Oil.
Në këtë moment ndërhyn qeveria Rama e cila përmes Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë bashkë me Albpetrolin vendosin shtetëzimin e këtyre blloqeve të naftës e gazit duke ja marrë ato koncesionarit Trans Atlantic Petroleum. Në Janarin e vitit 2017, këto vendburime Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj u morën nën kontroll nga qeveria shqiptare. Trans Atlantic Petroleum dhe GBC Oil e hodhën qeverinë në arbitrazh dhe tribunali ndërkombëtar i dha të drejtë qeverisë Rama në vendimin për shtetëzimin e vendburimeve.
Albpetrol çeli një garë të hapur ndërkombëtare për dhënien me koncesion të këtyre vendburimeve të shtetëzuara. Ky është momenti kur dy kompanitë në fjalë, TransAtlantic Petroleum dhe TransOil Group që vepronin që në qeverisjen e Berishës të synonin për ti marrë këto blloqe paçka se të fshehur pas kompanive me emra të tjerë, njëra për ti marrë dhe tjetra për ti rimarrë. Njerëzit e afërt të Berishës që kishin Stream Oil e më pas Trans Atlantic Petroleum hynë në garë nën petkun e një kompanie kanadeze Letho Resources Corp.
Dokumentet zyrtare të paraqitura në garën ndërkombëtare nga dy subjektet TransOil Group dhe Letho Resources Corp ishin brenda kritereve ligjore dhe nuk konfirmohej prezencë e asnjë personi ndaj të cilit deri në atë kohë të mund të ishin të vendosura sanksione.
Në betejën e tyre për të marrë kontrollin e vendburimeve, dy kompanitë tregtare u përfshinë indirekt në sponsorizime sulmesh mediatike ndaj qeverisë ku herë njëra e herë tjetra mbështeti aludimet se pas konkurentit qëndronin të fshehura interesa ruse. Fillimisht këto aludime u bënë për kompaninë TransAtlantic Petroleum e më pas edhe për atë TransOil Group.
Lufta tregtare midis tyre kaloi në dyert e gjyqësorit. Letho Resources Corp arriti të sigurojë një vendim të Gjykatës Administrative të Vlorës që i jepte të drejtë pretendimeve të saj kundër vendimit të Albpetrol për të shpallur fitues të garës TransOil Group. Gjyqtari Astrit Sheme që firmosi vendimin në 27.06.2019 u rrëzua nga vetingu në 21.02.2020 pasi nuk arriti të justifikonte pasurinë.
Teksa kompanitë vazhduan betejën nëpër gjykata, kontrata hidrokarbure nuk u finalizua dhe si rezultat blloqet hidrokarbure të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë në duart e shtetit shqiptar dhe administrohen nga ndërmarrjet publike AKBN dhe Albpetrol.
Pra qartësisht, Sali Berisha dhe Ilir Meta akuzojnë sot qeverinë Rama për dy koncesionarë të cilëve vet ata u kishin besuar pasuritë nëntokësore të shqiptarëve. Dy koncesionarë që për interesat e tyre tregtare akuzuan njëri-tjetrin në momente të ndryshme për lidhje të fshehta me interesa ruse paçka se deri në kohën kur u zhvillua gara e hapur ndërkombëtare nga qeveria Rama në 2017-2018, asnjëra prej kompanive nuk kishte lidhje me asnjë person të vendosur nën sanksione.
Më ironikja është se teksa Berisha e Meta akuzojnë sot Ramën e Gjiknurin për lidhje me rusët, blloqet hidrokabure të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit e Cakran-Mollajt janë nën administrim të shtetit shqiptar dhe u janë marrë pikërisht këtyre kompanive që i kishin marrë pa garë e pa transparencë.