Dy Presidentët në dekorimin e juristit të shquar, Aleks Luarasi

Presidenti i Republikës Ilir Meta gjatë ceremonisë së dekorimit të juristit të shquar Aleks Luarasi me titullin “Mjeshtër i Madh”, mes të tjerash apeloi dje dhe nevojën e një angazhimi më serioz për rimëkëmbjen infrastrukturore dhe përmirësimin e cilësisë së edukimit në universitetet tona publike.

Presidentin e Republikës Ilir Meta e priti Presidenti i Medias të Grupit “Hysenbelliu”, Irfan Hysenbelliu.

“Gjykoj se arsimi universitar publik dhe jo-publik duhet të krijojnë sinergji bashkëpunimi në pregatitjen akademike dhe profesionale të studentëve për tju përgjigjur sa më mirë aspiratave të shoqërisë, reformave të shtetit dhe kërkesave të tregut të punës.
Performanca dhe niveli i arsimimit dhe edukimit të brezit të sotëm është tregues i progresit së gjithë shoqërisë në të ardhmen. Krahas mbështetjes së iniciativave dhe investimeve private në fushën e arsimit jo-publik, apeli im sot shkon për një angazhim më serioz për
rimëkëmbjen infrastrukturore dhe përmirësimin e cilësisë së edukimit në universitetet tona publike, ku dhe shumica e të rinjve ndjekin studimet e tyre.

Eshtë tepër shqetësuese fakti që universitetet tona publike, përveç problemeve të  menaxhimit të brendshëm akademik dhe administrativ, mbeten prapa në procesin e akreditimit në raport me universitet jopublike.
Duhet bërë çdo përpjekje për të reformuar rrënjësisht universitetet publike dhe për të rikthyer prestigjin dhe vlerësimin që meritojnë.” – u shpreh Presidenti Meta gjatë fjalës së tij.

Këto deklarata Presidenti Ilir Meta i ka bërë në ambientet e Univesitetit “Luarasi”.

Themeluesi i Universitetit Luarasi, Aleks Luarasi falënderoi Presidentin Ilir Meta, presidentin e Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu, rektorin Ethem Ruka, stafin akademik por edhe studentët. Ai tha se Universiteti Luarasi ka arritur një stad shumë të lartë dhe kjo është meritë e stafit akademik dhe gjithë bashkëpunëtorëve.

“Dëshiroj të falënderoj për këtë vlerësim përmbyllës të jetës sime të gjatë në radhë të parë Presidentin e Republikës Ilir Meta, qoftë për dekorimin, qoftë për motivacionin dhe qoftë për vlerësimin e lartë të veprimtarisë sime. Dëshiroj të falënderoj zotin Irfan Hysenbelliu, Presidentin e grupit me të njëjtin emër sepse atë krijesë që krijova unë, ai e mori, e zgjeroi më tej, e zhvilloi më tej dhe sot qëndron në ballë të universitetit, në saj të besimit, të akreditimit dhe punës së gjithanshme. Dëshiroj të vlerësoj stafin e Universitetit Luarasi, në mënyrë të veçantë rektorin Ethem Ruka për mbarëvajtjen e kësaj shkolle. Shkolla ka arritur një stad shumë të lartë dhe kjo është meritë e stafit akademik dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Dëshiroj të falënderoj së fundi nga radha të gjithë studentët, ata që kanë përfunduar dhe janë në vijim të procesit sepse na kanë nderuar, edhe në planin e brendshëm. Njeriu duhet të zgjedhë atë rrugë që ka më shumë pasion e dashuri”, deklaroi profesor Aleks Luarasi.

VIDEO/CEREMONIA E DEKORIMIT 

Presidenti Meta i jep titullin ‘Mjeshtër i Madh’ profesorit Aleks Luarasi

SHKARKO APP