Dy zgjidhjet nga Genc Pollo për fushatën e Bankës së Shqipërisë

Nga Genc Pollo:

Druaj se edhe kjo fushatë e Bankës së Shqipërisë nuk do të ketë sukses. Leku i vjetër është i rrënjosur në mëndjen e popullsisë dhe përpjekjet për përdorimin e gjerë të lekut të ri kanë qenë të pasukseshme në këto 60 vitet e fundit.

Gabimi u bë me reformën monetare në 1964 kur vlera e lekut të ri u përcaktua 10 herë më e vogël se ajo e lekut të vjetër. Popullsia e mësuar me lekun e vjetër e kishte kollaj të mendonte e të shprehte vlerën e monedhës së re duke e shumëzuar me 10. Dhe kjo vazhdon edhe sot po aq fort duke sjellë shpesh ngatërresa; nganjëherë me pasoja të këqia.

Sipas meje ka dy zgjidhje për të arritur në normalitet:

1- Adoptimi i Euros si monedhë (dmth anëtarësimi në eurozonë); por kjo mundësi duket shumë larg në horizont.

2- Reformë monetare e cila fut në qarkullim një lek me vlerë më të vogël se leku zyrtar por jo 10 herë! Sepse po të jetë 10 herë popullsia do të bazohet prapë tek leku i vjetër dhe, në përdorim, do e shumëzojë jo më me 10 por me 100 lekun e hedhur rishtaz në qarkullim.
Vlera e monedhës së re duhet të jetë p. sh. 7 ose 3 herë (dmth midis 2 e 9) më e vogël se ajo e monedhës së vjetër në mënyrë që masa e përdoruesve të zvjerdhet nga leku i vitit 1964.

SHKARKO APP