Dyshimet e Prokurorisë: Nga Manza, MEK organizoi sulme kibernetike ndaj Iranit

Nga “Zëri i Amerikës”-

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit ka dyshime se organizata Muxhahedinët e popullit iranian (MEK), anëtarë të shumtë të së cilës janë strehuar në zonën e Manzës, pranë Durrësit, në Kampin Ashraf 3, ka përdorur territorin shqiptar për të kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit, në disa periudha të ndryshme kohore, si dhe drejt disa institucioneve në shtetin Iranian. Kjo është arsyeja, pse Gjykata e posaçme, me anë të një vendimi të datës 19 Qershor, të cilin Zëri i Amerikës e ka parë, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të ushtruar kontroll në mjediset e Kampit.

Prokuroria ka rregjistruar procedimin penal për një sërë veprash penale: “Provokim i luftës”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, Keqpërdorimi i pajisjeve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Sinjalizimi është marrë nga Njësia e Hetimit të Krimit Kompjuterik, pranë policisë së shtetit e cila ka monitoruar disa faqe online dhe rrjete sociale ku janë publikuar shkrime mbi sulme kibernetike ndaj institucioneve iraniane, shoqëruar me publikimin e dokumentave dhe të dhënave të shumta personale, përfshirë foto e video të dyshuara se janë hakeruar nga sistemet kompjuterike qeveritare ne Republikën Islamike të Iranit.

Po ashtu janë monitoruar dhe të dhënat e publikuara në rrjetin sociali Telegram nga ashtuquajturi grupi “JusticeHomeland”, në të cilin ka patur mesazhe kërcënuese ndaj Shqipërisë për shkak se “nuk po i vë fre aktivitetit terrorist të MEK-ut. Ishte ky grup që pas sulmit masiv kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Shqipërisë në korrik të vitit të kaluar, publikoi në vazhdimësi dokumenta dhe të dhëna të hakeruara nga institucione dhe agjenci zyrtare të Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë “gjatë fundit të vitit 2022 është konstatuar një rritje e retorikës kërcënuese nga Republika e Iranit dhe strukturave të tyre të Inteligjencës për të kryer sulme të mundshme, përfshi dhe sulme me dronë ndaj organizatës MEK në Shqipëri”.

Informacionet e përcjella Gjykatës në kërkesën për kryerjen e kontrolleve në Kampin Ashraf 3, dëshmojnë se “Ministria e Jashtme iraniane i ka përcjellë “Notë verbale” Ministrisë së Jashtme shqiptare ku thuhet se sipas inteligjencës së besueshme dhe të dokumentuar, e cila është siguruar nga agjencitë e sigurisë së Republikës së Iranit, për tre skuadra terroriste të arrestuara së fundmi, është zbuluar se janë stërvitur në kampin e organizatës MEK në Durrës”.

Duke vënë në dukje faktin se muxhahedinët në Shqipëri, janë strehuar për arsye humanitare, dhe atyre u ndalohet kryerja e çfarëdolloji aktiviteti politik, si dhe duke marrë parasysh, se Shqipëria është gjetur nën sulme të vazhdueshme kibernetike nga Irani, si kundërpërgjigje ndaj veprimtarisë së MEK-ut në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar kryerjen e kontrollit në mjediset e Kampit në Manzë me qëllim “gjetjen e serverave apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga Shqipëria”. Sipas Prokurorisë madje, “ka dyshime se pjestarë të organizatës MEK, janë të përfshirë në aktvitet kriminal të terrorizmit dhe të financimit të terrorizmit”.

Ndërhyrja ditën e djeshme e policisë, hasi sipas saj në rezistencën e fortë të anëtarëve të MEK-ut, siç dallohet dhe në disa video të shpërndara nga policia, ku mjetet e saj pengohen të avancojnë brenda kampit ku u gjetën pajisje të shumta kompjuterike të cilat u sekuestruan, si dhe dokumentacion shkresor.

 

Anëtarët e MEK-ut akuzuan policinë se ka përdorur dhunë, nga e cila sipas tyre ka gjetur vdekjen dhe një prej banorëve të kampit. Akuzat u hodhën poshtë nga autoritetet, të cilat saktësuan se askush nuk mund të injorojë një vendim gjykate, e aq më keq, të mundohet të pengojë zbatimin e vendimit.

SHKARKO APP