E bllokuar në Qafë-Thanë, aktorja Zamira Kita: E vështirë të rrimë në këtë të ftohtë
Dhjetëra qytetarë janë bllokuar në doganën e Qafë-Thanës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë. Në mesin e tyre është edhe aktorja e mirënjohur, Zamira Kita e cila në një lidhje të drejtpërdrejtë me “News 24” ka shpjeguar se në farë kushtesh ndodhet.
E shqetësuar për këtë situatë, aktorja ka bërë me dije se njerëzit kanë mbi dy orë që presin dhe lutja e saj ndaj autoriteteve përgjegjëse, është kjo situatë të marrë zgjidhje sa më shpejt.
”Kemi gati 2 orë që jemi këtu në Doganën shqiptare, për të dalë nga Maqedonia e Veriut dhe për të hyrë në Shqipëri. Ka një problem nga dogana deri në aksin nacional. Këto janë thashethemet nga qytetarët, por nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Mbase autoritetet po punojnë ku është problemi, se nuk e dimë. Por, dy orë në këtë të ftohtë, është shumë e vështirë për njerëzit që gjenden këtu. Këtu fryn shumë erë dhe bie pak borë. Dua të bëj apel, që kjo gjendje urojmë të mbarojë sa më shpejt, të ketë zgjidhje”, tha Kita.