E deleguara e Amerikës, VanHorn takim me kreun e Prokurorisë së Gjirokastrës
Gjatë vizitës së saj të parë në Gjirokastër, e deleguara e Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u prit në një takim nga kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Cano dhe kolegët e tij prokurorë.
VanHorn shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë anëtarët e Prokurorisë së Gjirokastrës për përpjekjet e tyre të përditshme, duke theksuar se teksa pjesa më e madhe e vëmendjes së vendit është përqendruar te Tirana, prokurorët në të gjithë Shqipërinë vazhdojnë të punojnë për të bërë drejtësi në kushte sfiduese, duke shërbyer si mbështetje thelbësore për qytetarët e thjeshtë viktima të krimit.
VanHorn dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA u takuan gjithashtu me disa organizata në Gjirokastër, përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Caritas Albania dhe përfaqësuesin e Avokatit të Popullit, të cilët punojnë së bashku për të ofruar shërbime për imigrantët që kalojnë në Shqipërinë jugore, si dhe në mbështetje të autoriteteve në procesin e shqyrtimit paraprak.
Ajo i falënderoi ata për punën e tyre të rëndësishme në ofrimin e këtyre shërbimeve thelbësore për këta individë të cenueshëm. Këto angazhime theksuan përkushtimin tonë të përbashkët ndaj drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, mbështetjen për popullatat e cenueshme dhe rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese për të rritur sigurinë për qytetarët e Shqipërisë.