”E drejta për të votuar prevalon mbi çdo pengesë”/Meta: Testi i 25 prillit, kryekusht për Integrimin
Nga Korça, aty ku u hap dhe shkolla e parë shqipe, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta përpos mesazheve për 7 Marsin, ka folur edhe për zgjedhjet e 25 prillit, ku përsëriti thirrjen që e drejta për të votuar prevalon mbi çdo pengesë dhe se 25 prilli është kryekush për Integrimin e vendit në BE.
“E drejta kushtetuese për të votuar prevalon mbi çdo pengesë dhe vështirësie. Të gjejmë rrugën më praktike e cila edhe ruan shëndetin por edhe nuk privon asnjë qytetar të shprehë vullnetin e tij”, tha kreu i shtetit.
Nga ana tjetër, për gazetarët kreu i shtetit bëri thirrje gjithashtu për pastërtinë e kandidatëve që duhet të paraqesin partitë politike dhe për të duhen më shumë kandidatë mësues sesa biznesmenë. “Të fusim sa më shumë pedagoge dhe pedagogë, sa më shumë figura të pastra dhe ju lutem shumë sa më pak biznesmenë në Kuvendin e ardhshëm. Jo se kam ndonjë gjë me biznesmenët por është e rëndësishme që të kemi njerëz me integritet që interesin publik e kanë të parin. E gjithë shoqëria të përfaqësohet ashtu siç e meriton në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Është moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë pasi zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kryekusht për integrimin. Është një test madhor që jam i sigurt që do ta kalojmë me hir apo me pahir”.