E konfirmon ministrja Kushi/ Universiteti i Korçës nuk do të bashkohet me atë të Tiranës

Ministria e Arsimit, Evis Kushi, është pyetur sot nga gazetarët nëse do të bashkohet Universiteti i Korçës me atë të Tiranës.

Kushi tha se kjo gjë nuk do të ndodhë, pasi Universiteti i Korçës ka potencialet e veta, kapacitet, staf dhe studentë.

Ajo theksoi se Universiteti i Korçës do të vazhdojë të rritet edhe më tepër.

“Universiteti i Korçës do të vazhdojë por do të rritet më tepër. Potencialet janë aty, ka studentë dhe staf i mrekullueshëm, si edhe kapacitete. Korça ka traditë në arsim, pra do të ketë zhvillim më tej. Ka pasur propozime të ndryshme, jo vendime, e rëndësishme është që t’i diskutojmë ashtu si bëmë sot. Vendosëm që rruga është ndërkombëtarizimi dhe profilizimi i universitetit”, nënvizoi Kushi.

Këtë deklaratë ministrja e ka bërë pas një takimi me stafin akademik të Korçës, në sallën e amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Korçës, Dhimitër Bello, tha se me këtë diskutim u arrit zgjedhja e alternativave më të mira për universitetin Fan.S.Noli.

SHKARKO APP