E majta mbyll fushatën në Tiranë, Rama: Më 21 Qershori, fundi i gërrhimës së madhe
Aleanca për Shqipërinë Europiane mbyllli fushatën për Bashkinë e Tiranës me një miting të organizuar në sheshin Nënë Tereza në Tiranë, ndërsa Kryeministri Edi Rama theksoi se më 21 Qershor është fundi i gërhimës së madhe.
Kreu i Qeverisë i ka drejtuar një apel të gjithë shqiptarëve për të marrë pjesë masivisht në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, pasi pesha e votës në këto zgjedhje është shumë më e madhe, sesa cdo palë zgjedhje të tjera, sepse është përpjekja historike për ndërtimin e shtetit të ri modern.
Rama theksoi se më 21 Qershor merr fund ndarja që i është bërë shqiptarëve në këto 25 vite, kur ai që jetonte në qytet quhej qytetar, ndërsa ai që ishte në fshat quhej katunar.
Kryeministri theksoi se opozita në fushatën për 21 Qershorin u përpoq të budallepsë sa më shumë njerëz dhe të gjejë sa më shumë budallenj.
“Një gjeneratë e re është gati të marrë në dorë Tiranën dhe është e gatshme të bëjë në 4 vitet e ardhshme atë që nuk është bërë në 25 vitet e shkuara, përfshi këtu edhe 11 vitet kur unë kam drejtuar Bashkinë e Tiranës.
Sot Erjoni ka mundësi të bëjë shumë më tepër dhe shumë më mirë për Tiranën. Kur isha unë në krye të bashkisë së Tiranës, pata mbështetjen e Ilir Metës si Kryeministër, ndërsa sot Erjoni ka mbështetjen timen dhe të Ilir Metës, por edhe të një aleance shumë më të madhe, për të ndryshuar Tiranën.
Edhe për pak ditë do të mbarojë gërhitja e madhe e Tiranës, do të mbarojë gërhitja që shastisi Tiranën, gërhitja që vuri në gjumë pushtetin vendor në shumë treva dhe komuniteteve, pasi Tirana ka përgjegjësinë të jetë lokomotiva, modeli që të tërheqë të gjithë Shqipërinë me vete.
Më 21 Qershor është fundi i gërhimës së madhe. Jam shumë i vetëdijshëm që ata që ende sot nuk kanë asnjë anëtar të familjes në punë, nuk janë pak edhe ata që mund të mos kenë pasur mundësi të shtrojnë tavolinën e bukës, që nuk arrijnë të shikojnë dritën e shpresës megjithëse investuan votën e tyre më 23 Qershor të 2013.
Pala tjetër ka vendosur të kthejë 21 Qershorin në një referendum për qeverisjen, ndërsa ne kemi bërë një fushatë që vota ka një rëndësi që se ka pasur asnjëherë më parë.
Shkaku i parë është që me votën e shqiptarëve bëhet riorganizimi i shtetit shqiptarë në qeverisjen vendore, pasi nga një shtet i organizuar në mënyrë të corganizuar, ne kalojmë në një organizim që është një hap i madh përpara në shtetin modern.
Arsyeja pse duhet votuar më 21 Qershor është shumë e rëndësishme, sepse ne jemi të vetëdijshëm që ne kemi shumë për të bërë.
Në 18 muajt e qeverisjes sonë ne kemi dhënë provën se po ecim në drejtimin e duhur, ndaj më 21 qershor ne do ti themi shqiptarëve që shtetin shqiptar do ta bëjmë bashkë, pasi nuk është një përpjekje e rradhës për një mandate të rradhës, por është një përpjekje historike për të bërë të gjithë bashkë shtetin modern”, theksoi Rama.
Kryeministri shtoi se më 21 Qershor realizohet reforma më e madhe, por pas 21 Qershorit do ti japim bashkive të reja, fuqitë më të mëdha që ato kanë pasur ndonjëherë.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e tij theksoi se më 21 Qershor, e gjithë Shqipëria do të votojë për kandidatët e ASHE, pasi asnjë komunitet asnjë shqiptar nuk ka kohë për të humbur, sepse asnjë shqiptar nuk ka kohë për tu marrë me konfliktin politik që kërkon opozita e vjetër, për fatin e keq.
“Ka shumë arsye për të ndëshkuar dhe për tu ndarë me njeriun dhe modelin që la pas dore Kryeqytetin për interesat e partisë së tij, për njeriun që gërhet shumë dhe shqetëson qytetin.
Cdo votë për Erjon Veliajn është një detyrim më shumë për kryebashkiakun e ri.
Më 21 Qershor ndahen dy epoka të një Shqipërie me një keqorganizim dhe keqadministrim territorial, nga një pushtet lokal që është i paaftë të bëjë politika zhvillimi dhe punësimi, në një organizim dhe administrim të ri që do të bëjë të mundur frymëmarrjen e re jo vetëm për Tiranën, por për cdo bashki të re të vendit.
Një falenderim për Edi Ramën, pasi ai ka mbështetur të gjithë kandidatët e ASHE në të gjithë vendin. Kjo aleancë nuk është krijuar për të mundur ata që nuk ekzistojnë në këtë garë, sepse nuk janë zgjuar dhe vazhdojnë të gërhasin, por ne jemi bashkuar në këtë aleancë të jashtëzakonshme pasi bashkimi bën fuqinë, sjell ndryshimin.
Erjon Veliaj do të arrijë një fitore të pashembullt në kryebashkinë e vendit, jo vetëm falë kësaj aleance të jashtëzakonshme, por edhe për shkak të aftësive të tij të jashtëzakonshme, erjoni është një politikan i talentuar, një reformator i vendosur”, tha Meta.
Kandidati i ASHE për Tiranën Erjon Veliaj shprehu bindjen për një fitore të madhe në të gjithë Tiranën e re.
“Koalicioni ynë është përtej të majtës dhe të djathtës, pasi Tirana jonë ka nevojë për shërbime që janë përtej të majtës dhe të djathtës.
Tirana e 4 viteve të fundit i dallonte njerëzit, disa i trajtonte si të njerkës dhe disa si të nënës. Por deri në 2011, të gjitha qytetet donin ti bënin qytetet e tyre si Tirana e Edi Ramës.
Por cfarë ndodhi sot? Sot asnjë nuk thotë dua ta bëj qytetin si Bashkia e Lulzim Bashës. Jemi bashkia e fundit në të gjithë republikën, me standardet më të ulëta.
Fushata e tyre po i thotë njerëzve që po vjen fundi i Botës, porn ë të vërtetë po vjen fundi i atyre që nuk i dhanë asgjë këtij qytetit. Ato do hyjnë në histori pasi e shesin dështimin si sukses dhe kaosin si rregull. Tirana ka më shumë sheshe ndërtimi sesa parqe, por arritje të tilla ne nuk duam më.
Ne e duam Tiranën në drejtimin e duhur. Ne nuk vijmë për revansh, nuk vijmë për hakmarrje, ne vijmë për t’ju shërbyer, vijmë për të bërë punë. Vijmë në Tiranë për ndërtimin e kampusit universitar.
Ne vijmë për të ndërtuar Bulevardin e Ri, jo me moton beton beton beton, por me moton e re parqe, lulishte, gjelbërim, pasi për këto ka nevojë Tirana. Vijmë në Tiranë për të ndërtuar Pazarin e ri, duke vlerësuar kulturën e vjetër të Tiranës.
Nuk vijmë për revansh, por për të promovuar kulturën e bicikletave dhe këmbësorëve. Ne edhe të djathtëve u shërbejmë të paktën 5 herë më shumë se partia e tyre. Për herë të parë vendosëm të mos kishim 1 program për Tiranën, por kishim 24 programe si 24 kostume për të gjitha zonat e Tiranës”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi tha se më 21 Qershor votohet për projektin e ri për një Tiranë moderne, për një Tiranë të madhe.
“Koalicioni i lindur rishtas, jo për asrye ideologjike, por për një vision të ri europian, atë të politikës në shërbim të qytetarit. Ndarja e re administrative është një reform që i dha frytet e para qysh në fushatën elektorale, e panë fushatën në një dimension të ri.
Tirana ka nevojë për një frymëmarrje tjetër, ka nevojë për një bashkëpunim. Kemi bërë një fushatë shumë qytetare. Erjon Veliaj një lider i ri, i pjekur qysh në rini, me enrgji dhe një administrator i veçantë. Kam vlerësuar komunikimin njerëzor, politik dhe publik.
Kam vlerësuar projektet dhe kam bindjen se do t’I kthejmë Tiranës institucionet që i kanë munguar, do ti japim qytetarëve të Tiranës shërbimet e munguara. Para se të them votoni për FRD, ju them votoni për Erjon Veliaj”, tha Topi
Deputeti socialist Pandeli Majko e krahasoi mitingun e organizuar me pritjen që iu bë Papës së mrekullueshëm.
“Por sot nuk jemi mbledhur për Papën por për Kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, që më 22 Qershor do të jetë Erjon Veliaj. Pa dallim feje, krahine dhe ideje do të votojmë më 21 Qershor për mazhorancën. Me pakënaqësinë është shumë pak të fitojë e djathta me Lulzim Bashën.
Në zyrat e bashkive do të ofrohet një mënyrë e re të punuari. Më 22 qershor jemi të gjithë shqiptarë dhe të barabartë para ligjit. Reforma territoriale bëri që fshatarët të mos trajhtohen si qytetarë të dorës së dytë, sikundër ka ndodhur deri më sot. Numrin e PS në fletën e votimit e keni në gjoksin e Edi Ramës, 23 është si numri i Xhordanit, ndërsa për LSI Ilir 47 kile ka vajtur”, tha Majko.