E pazakontë, 24-orë pas zgjedhjeve heshtin të gjithë: Rama, Meta, Basha dhe Nishani
Kanë kaluar afro 24 orë që nga mbyllja e procesit të votimit për organet e qeverisjes vendore dhe asnjë nga drejtuesit e lartë politikë në Shqipëri nuk ka dalë para publikut apo elektoratit për të bërë qoftë dhe deklaratën më të shkurtër.
Nëse SHBA dhe OSBE/ODIHR e thanë fjalën e tyre, madje këto të fundit dolën dhe në konferencë për shtyp, daljet e Ramës, Bashës dhe Metës kanë munguar plotësisht.
Gjatë ditës së djeshme, Rama, Meta dhe Basha u mjaftuan me nga një përshëndejtje elektorale pas votimit, kurse në orët e mbrëmjes pati një deklaratë nga lideri opozitar Lulzim Basha që i bënte thirrje numëruesve të vet të jenë të kujdesshëm me procesin e numërimit të votave. Ndërsa Rama bëri vetëm një postim fotoje në Facebook, ku tregonte sallën e mbledhjes së të dhënave operative pranë qeverisë apo Partisë Socialiste.
Lideri i LSI dhe kryetar i Parlamentit, ka munguar edhe më shumë me daljet e tij. Dita e sotme është karakterizuar nga heshtje e plotë e të tre palëve kryesore politike.
Edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani po ashtu ka heshtur. Ajo që të bën përshtypje në këtë heshtje është fakti se nuk ka ndodhur asnjëherë më parë pasi daljet e liderëve dhe drejtuesve të tjerë kryesorë qeveritarë dhe partiakë kanë qenë të shpeshta. Madje daljet kanë qenë edhe kur rezultatet nuk ishin zyrtare dhe numërimi as që kishte nisur apo ishte në kutitë e para. Kurse tani edhe pse ka përfunduar më shumë se dy të tretat e kutive të numëruara dhe rezultati është i qartë, daljet publike po mungojnë. Presim të shohim në orët në vazhdim nëse Rama, Basha dhe Meta do të dalin para publikut.