E përjashtoi nga grupi, Tritan Shehu: Alibeaj ka shënuar vdekjen e tij politike
Kreu i gupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar nga grupi edhe 4 deputetë që janë me Berishën. Ata janë: Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici dhe Agron Shehaj, pasi kjo lidhet me protestën e dhunshme të 8 janar 2022 në selinë blu. Deputeti demokrat Tritan Shehu thotë se vendimi i Alibeajt shënoi vdekjen e tij politike. Për të PD-ja është solide dhe ka përpara beteja politike ku më e rëndësishmja është data 14 Maj e zgjedhjeve lokale.
“PD është solide, e bashkuar kudo. Pastaj se çfarë bëjnë individë të veçantë ajo është çështje e tyre, më mirë të shkojmë bashkë para, kemi beteja politike. Ka një problem me grupin parlamentar, sepse zoti Alibeaj bëri me urdhër regjimi një vendim të tillë.
PD ka kryetar të zgjedhur zotin Berisha, partia nuk janë letrat por njerëzit, militantët, një politikë e tërë. Kush ka qejf letrat ti varë në qafë. Për mua ka rëndësi gjendja e Partisë Demokratike që është solide.
Zgjedhjet e 14 Majit kanë rëndësi për ne sepse do marrim absolutisht shumicën e madhe të bashkive dhe do futemi dhe në pushtet lokal për të korrigjuar gabimin e madh të dorëzimit të mandateve në zgjedhjet e kaluara. Gabimi më i madh që bëri PD, por që tani po rikuperohet”,-tha Shehu për ”Tv Klan”.