Ecuria e Reformës në drejtësi: Përtej afateve dhe përcaktimeve kushtetuese

Nga  Vincent W.J. van Gerven Oei* –

Javën e shkuar u përpoqa të gjej sadopak sens në mënyrën si po shkon procesi për formimin e institucioneve të reja të vetingut, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), dhe argumentova se për shkak të gjendjes aktuale të vetingut, me shumë gjasa do të duhen disa raunde vetingu për secilin nga këto institucione që ato të plotësohen.

Ky fakt automatikisht do të shkaktojë vonesa të mëtejshme në krijimin e këtyre institucioneve, dhe për rrjedhojë do të vonohet instalimi i Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH). Kjo do të rezultojë në zgjatjen (ndoshta të pafund) të gjendjes pa ligj në të cilën ndodhet aktualisht Shqipëria, me organet më të larta të sistemit gjyqësor të dëmtuara në mënyrë të përhershme.

Që nga miratimi bipartizan i reformës së drejtësisë, dy vjet më parë, ishte e qartë për të gjithë aktorët e përfshirë se politika lëviz me një ritëm ndjeshëm më të ngadaltë se kalendari i përcaktuar në Kushtetutë. Kjo gjë është gjithashtu vënë në dukje edhe nga organizata të respektuara të shoqërisë civile, si Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Megjithatë, Komisioni Europian dhe përfaqësuesit e qeverisë amerikane në Shqipëri, sikurse vetë qeveria shqiptare janë sforcuar së tepërmi ta përshkruajnë përparimin e reformës në drejtësisë si në tërësi në përputhje me “kalendarin e parashikuar”.

Le t’u hedhim një sy disa prej këtyre pretendime dhe t’i krahasojmë ato me atë çfarë po ndodh realisht.

Në tetor 2017, zëdhënësja e BE Maja Kocijančič pohoi për Exit:

“Duke qënë se Komisioni Evropian drejton Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, ne jemi të vetëdijshëm se fillimi dhe hapat e ndërlikuar përgatitorë kanë ecur në përputhje me afatet e pritshme që institucionet e vetingut të zbatojnë detyrat e tyre.”

Edhe pak muaj më parë, në prill 2018, Raporti i Përparimit për Shqipërinë i Komisionit Europian, shprehej:

“Zbatimi i komponentëve të ndryshëm të reformës po ecën mirë në përputhje me detyrimet ligjore, si për sa i përket hapave ashtu edhe kalendarit.”

Më lejoni të jam i qartë: këto pohime janë të pavërteta. Për shembull, sipas Kushtetutës, KLP dhe KLGj duhet të ishin instaluar në shkurt të vitit 2017. Prandaj, ecuria e reformës nuk është “në përputhje me detyrimet ligjore”.

Pretendime të tilla të dinake për afatet kohore duhet të përballen me “momentet kyçe” të refromës—formimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, si SPAK-u dhe BKH-ja, të cilat varen nga formimi i KLP-së.

Në shtator 2017, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, gjatë hapjes së Shkollës Verore të BE-së, deklaroi:

“Reforma në drejtësi, e cila është në fakt reforma më impenjative dhe më komplekse nga të gjitha, është tashmë gati për t’u zbatuar me procesin e vetingut, i cili do të fillojë në më pak se dy javë. Krijimi i institucioneve të reja, përfshi prokurorianë e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar, me shpresë [do të krijohet] nga fundi i këtij viti.”

Kjo nuk ndodhi.

Në një përpjekje të re justifikimi, në prill 2018, Ambasadori i SHBA Donald Lu shprehu besimin e tij se “Prokuroria Speciale (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) do të instalohen këtë verë.”

Ndërsa gjatë një diskutimi në Hagë, në maj 2018, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se KLP, KLGJ dhe KED do të formohen para verës.Është e qartë asgjë nga këto nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, dokumentet e brendshme të Delegacionit të BE-së në Tiranë, të marsit 2018, tregojnë se vetë ata nuk e besonin Raportin e tyre të Përparimit. Megjithatë, raporti u botua pa ndryshme dhe u bë mjet i rëndësishëm propagandistic i qeverisë Rama.

Atëhere, cilat janë tamam “afatet e parashikuara” të BE-së? Nga çfarë varen këto afate? A janë këto pikërisht afatet e sanksionuara në në Kushtetutën e vitit 2016.

Nëse BE ka të njejtat afate si Kushtetuta e Shqipërisë, ne jemi qysh prej shkurtit 2017 në një vakum të papranueshëm ligjor dhe kushtetues dhe çdo afat kushtetues është tashmë i shkelur.

Por nëse afatet e BE-së nuk janë ato të Kushtetutësë së Shqipërisë, atëhere është e qartë se ka një institucion tjetër “mbi” Kushtetutën shqiptare i cili po vendos afate “realiste”. Por nga pohimet tërësisht kontradiktore të vetë Delegacionit të BE-së nuk mund të kuptohet asnjë kalendar i qartë për formimin e institucioneve të vetingut.

Gjëja më e afërt me një kalendar që kam parë është një grafik në një prezantim të EURALIUS-it, sipas të cilit procesi i vetingut pritet të zgjasë deri në vitin 2021, në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke e zgjatur edhe përtej mandatit të misionit EURALIUS V.

Por ky kalendar i përgjithshëm dhe aspak specifik mund të jetë thjeshtë rezultat i dëshirës së mirë, pasi deri më tani asnjë diplomat i huaj nuk ka qenë në gjendje të ofrojë afate kohore që bazohen në hapat procedurialë të përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera të reformës dhe bazuar në ecurinë aktuale të vetingut.

Për ta bërë këtë, së pari duhet të ndahen proceset e ndryshme por të ndërlidhura që ndikojnë në kalendarin e institucioneve të reja të drejtësisë:

  1. Përparimi i procesit të vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK);
  2. Përparimi i trajtimit të ankimimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelit (AKP);
  3. Përparimi i ankimimeve në Gjykatën Kushtetuese/Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ);
  4. Procedurat për instalimin e organeve të reja gjyqësore.

Progresi i vetingut i bërë nga KPK-ja është ndoshta më i qarti dhe më i lehti për t’u vlerësuar nga pikëpamja kohore. Aktualisht, janë përballur me vetingun 45 magjistratë dhe KPK-ja po ecën me një mesatare prej 6-7 rastesh në javë. Nëse vazhdon ky ritëm, nevojiten 110-130 javë të tjera derisa të gjithë magjistratët të kalojnë raundin e parë të vetingut. Pra, ky proces përfundon në fund të vitit 2020.

Deri tani, 8 raste janë ankimuar në KPA, dhe vetëm një rast është trajtuar. Koha mes apelimit të vendimit dhe zhvillimit të seancës nga KPA duket se është diku rreth 6 javë. Pra, në rast se nuk apelohen shumë vendime, KPA-ja nuk duket se luan rol të rëndësishëm në afatat kohore.

Për momentin, nuk ka pasur ankimime të mëtejshme në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Prokurorja Rovena Gashi tashmë ka deklaruar se nuk e pranon gjykimin e KPK-së dhe ka lënë të nënkuptohet që do ta apelojë vendimin. Apelimi në Gjykatën Kushtuese është i mundur teorikisht, por praktikisht ajo nuk mund të shqyrtojë asnjë ankesë sepse nuk ka numrin minimum të anëtarëve për kuorum. Prandaj, duke qenë se kjo gjykatë praktikisht nuk ekzsiton, Rovena Gashi mund t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

Çdo rast vetingu i çuar në GJEDNJ do të ketë, padyshim, efekte krejtësisht katastrofike në “afatet kohore” të formimit të institucioneve të reja. Ndryshe nga Komisioni i Venecias, i cili thjesht shqyrton legjislacionin e vetingut, GJEDNJ duhet të vlerësojë të gjithë vendimet e KPK-së dhe KPA-së dhe të vendosë nëse këto institucione të posaçme janë të afta të japin një gjykim të drejtë.

Duke marrë parasysh çështjet e grumbulluara në GjJEDNJ, ky proces mund të zgjasë disa vite, gjatë të cilave teorikisht krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë do të jetë në ngërç.

Sepse për sa kohë që GJEDNJ-ja nuk ka vendosur nëse një kandidat për aëtar të KLGJ/KLP/KED është shkarkuar me motivacion të drejtë apo jo, duket e pamundur që kandidatët e rinj ose zëvendësues të mund të emërohen.

Çfarë ndodh nëse GJEDNJ gjen se një kandidat është shkarkuar pa të drejtë? A rikthehet ai kandidat sërish në listë? Të gjitha këto janë pasiguri të tmerrshme ligjore që po mbizotërojnë procesin e vetingut dhe janë të paprecedenta në historinë ligjore dhe politike të Shqipërisë. E askush nuk është duke diskutuar apo duke i marrë parasysh pasojat e tyre.

Tani, le të supozojmë për momentin se si me magji, një katastrofë e tillë nuk do të ndodhë. Si ndikojnë në të vërtetë procedurat e zgjedhjeve për KLP dhe KLGj në afatin e vetingut?

Siç e kam shpjeguar më parë, raundi aktual i vetingut do të lërë një numër të pamjaftueshëm kandidatësh për KLP dhe KLGj që e kanë kaluar vetingun. Ky parashikim është tashmë fakt për KLGJ-në, dhe me siguri do të ndodhë shumë shpejt dhe për KLP-në.

Për pasojë, duhet të mbahet një raund i ri aplikimesh, të cilat mund të hapen vetëm pasi Kuvendi të rinisë punën në shtator. Pasi të mbahet raundi i ri, çdo listë e kandidatëve do të duhet të miratohet në Kuvend, proces i cili sipas Kushtetutës duhet të marrë më pak se një muaj, edhe pse vetë procesi i zgjedhjeve është shumë i komplikuar dhe do të ketë nevojë për bashkëpunimin e opozitës.

Duhet të kujtojmë se herën e fundit ky proces u dëmtua nga procedurat e paligjshme që zbatoi Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, ndërkohë që marrëdhëniet politike mes shumicës e opozitës janë përkeqësuar seriozisht. Nëse PS do të miratonte e vetme një listë shtesë kandidatësh, kjo do të nënkuptonte politizimin e plotë të organeve të reja drejtuese të sistemit të drejtësisë dhe një dështim shkatërrues të reformës në drejtësi.

Nëse përsëri, me anë të ndonjë mrekullie, gjendet konsensusi politik, dosjet e këtyre kandidatëve të rinj duhet të hapen dhe vlerësohen nga KPK-ja, e kështu me radhë. Ka pak mundësi që kjo të ndodhë deri në fund të vitit 2018.

Për KED-në situata është edhe më e keqe. Nëse vetingun nuk e kalojnë të gjithë anëtart e KED-së, Gjykata Kushtetuese nuk mund të formohet. E njejta gjë do të ndodhë nëse edhe KED-ja e vitit të ardhshëm nuk e kalon vetingun, e kështu me radhë derisa të jënë verifikuar të gjithë magjistratet kështu që në KED nuk do të zgjidhet asnjë anëtar i pavetuar.

Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese rrezikon të jetë e paralizuar deri në vitin 2021, ndërsa qeveria duhet të votojë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të vitit 2021 — të cilat me siguri do të apelohen në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk do të ekzistojë.

Ja pra se çfarë do të thotë afat kohor realist.

*Marrë nga Exit.al

SHKARKO APP