Edhe Britania do shpallë ”non-grata”: Masa në Shqipëri, politika duhet të ndahet nga krimi
Shpalljen ”non-grata” nuk e ka vetëm Amerika. Në një kohë jo të qetë politike në mbarë Europën, pasi ka dy kryeministra (Britanisë dhe i Italisë) që kanë dhënë dorëheqjen, i dërguari i Posaçëm i kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, thotë se vendi i tij do të nis me shpalljet “non-grata”.
Sipas tij Mbretëria e Bashkuar po intensifikon përpjekjet për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Ai ka përmendur në mënyrë specifike Shqipërinë, ku shprehet se ka përparim në luftën ndaj korrupsionit, por jo aq sa duhet.
“Në Shqipëri, me Reformën në Drejtësi, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byronë Kombëtare e Hetimit (BKH), kemi hyrë tashmë në një etapë të re. Mbretëria e Bashkuar është me ju në këtë përpjekje. Është shënuar progres. Disa njerëz, të cilët më parë ndiheshin të paprekshëm, sot ndodhen në burg. Por ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pandëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji të mos zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo. Për këtë arsye ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor”.
Po ashtu ai thekoson edhe se Britania ka futur në listën e zezë 27 zyrtarë nga vende të ndryshme të botës. Edhe pse ai nuk e tha, dyshimet janë se mund të kemi edhe nga Shqipëria.