Edhe një herë mbi draftin e vëretjeve të Komisionit të Venecias
Nga Sali Berisha.
Pas dorezimit te dokumentit me verejtjet e Komisionit te Venecias per projektin e reformes ne drejtesi te "aleances se qelbesirave", Edi Rama dhe shpura e tij mediatike kane bere gjithçka qe me komente te cekta dhe siperfaqesore te relativizojne dhe minimizojne ne nene te caktuara verejtjet, qendrimet, sugjerimet e Komisionit te Venecias, ne nje kohe qe ato atakojne qarte dhe pa asnje ekuivok pothuajse nen per nen projektin e "mazhorances se qelbesirave".
Meqense Komisioni nuk ka dhene, siç thote Xhafa, se kjo apo ajo eshte gabim apo skandal por ka folur per anoma;, anomali; papershtatshmeri; rrezik kapje; konflikt interesi, terma keto qe te gjitha ne teresi jane me te renda se sa gabimi.
Ketu me poshte (atyre qe iu interesojne) keni nje analize te eksperteve juriste, sipas paragrafeve te raportit te Komisionit te Venecias dhe neneve te draftit te qeverise si dhe ne linkun ne fund te tekstit gjeni raportin e plote ne anglisht te Komisionit te Venecias, leximi i te cilave fakton se Edi Rama me Xhafen, Sadushin dhe militantin ne Gjykaten e Larte nuk kane patur asnje qellim tjeter veçse te benin drejtesine shqiptare nje drejtesi partiake, apo "kurban drejtesi" te Edvin Kristaq Rames. sb
http://www.venice.coe.int/webforms/documents/…
——-Analiza e opinioneve te Komisionit te Venecias per reformen ne drejtesi
1) Ndryshimi i formulës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku 3 anëtarë emërohen nga Presidenti, 3 anëtarë nga Kuvendi dhe 3 anëtarë nga mbledhja e gjyqtarëve të dy Gjykatave të Larta, është mirëpritur nga Komisioni i Venecias dhe është gjetur në përputhje me standardet. (parg. 23)
2) Komisioni i Venecias, rekomandon që të qartësohet se kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. (parg.28)
3) Komisioni i Venecias evidenton se në rastin e një ligji që rishikon Kushtetutën, do të ishte e mundur për t’i dhënë Gjykatës Kushtetuese, së paku fuqinë për të verifikuar procedurën në të cilën ndryshimet kushtetuese janë miratuar. Ndërkohë që për vlerësimin e përmbajtjes nuk ka një standard të gjithëpranuar dhe vende të ndryshme kanë aplikuar zgjidhje të ndryshme. (parg.20 dhe 21)
4) Komisioni i Venecias thekson se është i paqartë kriteri i emërimit “mos përfshirje në forumet drejtuese të partive politike”. (parg 25)
5) Komisioni i Venecias vendos në pikëpyetje nevojën që ka Shqipëria për krijimin e një Gjykate të Lartë Administrative, nisur jo vetëm nga mungesa e burimeve financiare, por edhe pamundësinë që ka akualisht për burime njerëzore në plotësimin e vendeve vakand në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, kjo zgjidhje do të krijonte potencialisht edhe rrezikun e konfliktit të juridiksionit midis dy gjykatave të larta. (parg. 37 dhe 38)
6) Komisioni i Venecias evidenton faktin se sipas ndryshimeve Gjykata e Lartë nuk do të ketë më kompetencën për gjykimin në shkallë të parë të zyrtarëve të lartë, por sipas saj nuk sqarohet se cila gjykatë do të ketë këtë kompetencë. (parg. 42)
7) Komisioni i Venecias evidenton se është e cuditshme që kriteri i përfundimi të Shkollës së Magjistraurës nuk është përfshirë për gjyqtarët, por vetëm për prokurorët. Megjithatë, Komisioni mendon se kjo mund të ketë lidhje me dispozitat tranzitore dhe mundësinë e lartë të krijimit të shumë vendeve vakante, dhe ndoshta kjo do të kërkonte që kriteri i përfundimit të Shkollës së Magjisraturës të ishte, por të hynte në fuqi kohë më vonë. (parg.46)
8) Komisioni i Venecias evidenon nevojën që në Kushtetutë të parashikohet procedura e emërimit të gjyqtarëve dhe mënyra e përzgjedhjes së gjyqtarëve të gjykatave të specializuara (gjykatës administrative). Nga ana tjetër, specifikohet se nuk parashikohet që gjyqtarët mund të shkarkohen vëtëm për shkelje të rënda disiplinore. Gjithashtu, duhet të qartësohet dhe të specifikohet parashikimi që paga e gjyqtarëve mund të ulet në rastin e masave disiplinore. Kushtetuta duhet të përcaktojë parimet e përgjithshme që përshkruajnë procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (përzgjedhje bazuar në meritë, thirrje e hapur për kandidatët, procedurë transparente përzgjedhja, pluralizmin e kandidatëve, etj); rregullat e propozuar në Kushtetutë për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve kanë nevojë për sqarim të mëtejshëm. (parg. 47, 48, 50 dhe 137)
9) Komisioni i Venecias mbështet formulën e përbërjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit. Mirëpo, Komisioni i Venecias vëren se mazhoranca aktuale ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshilli të Lartë të Prokurorisë. Për këtë arsye, Komisioni shtron pyetjen nëse në kontekstin aktual politik, procedura e zgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë të KLD siguron përbërjen pluraliste të Këshillit. Ndoshta, kjo çështje mund të trajtohet nga legjislacioni dytësor, i cili duhet të sigurojë se nominimet e kandidatëve janë të lirë, në masën maksimale të mundshme, nga ndikimi politik. Në këtë moment, Komisioni i Venecias risjell në vëmendje një Opinion të tij të mëparshëm, sipas të cilit “kur kriteri i miratimit me shumicë të cilësuar përfshihet në Kushtetutë me iniciativë të një grupimi politik që e zotëron këtë shumicë, atëherë ky rregull, në vend që të sigurojë pluralizmin dhe shkëputje politike të organit rregullator, në fakt "çimenton" ndikimin e këtij grupi të veçantë brenda organit rregullator dhe mbron këtë ndikim kundër ndryshimit të krahëve politikë në të ardhmen.”. (parg. 54 dhe 55)
10) Komisioni i Venecias rekomandon që të përfshihen disa rregulla të përgjithshme për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias ngre pikëpyetje për mekanizimin zhbllokues të parashikuar në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ, duke e vlerësuar atë si një zgjedhje jo demokratike. (parg. 57 dhe 59).
11) Komisioni i Venecias thekson se roli i Ministri të Drejtësisë në KLGJ duhet të rishikohet dhe redukohet. Nëse Ministri do të ketë kompetenca për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve, duhet të bëhet e qartë se ai nuk luan asnjë rol të mëtejshme në mbledhjet e Këshillit, në të cilën kjo çështje do të diskutohet, qoftë edhe në cilësinë e vëzhguesit. Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë nuk duhet të ulen si anëtar ex officio i Tribunalit Disiplinor. (parg. 62)
12) Komisioni i Venecias vëren se amendamentet kushtetuese parashikojnë krijimin e një numri të lartë institucionesh të reja, që kontrollojnë njëra-tjetrën. Kjo skemë e komplikuar institucionale mund të ketë një pasojë të padëshiruar, sepse krijon një klimë mosbesimi ndërinstitucionale e cila rrezikon vlerësimin publik ndaj gjyqësorit. Përveç kësaj, krijimi i kaq shumë organeve të reja do të kërkojë një rekrutimin në masë të profesionistëve ligjor, ndërkohë që grupi i kandidatëve të mundshëm që posedojnë arsimin e nevojshëm, trajnim, përvojë dhe pavarësi, mund të jetë i kufizuar me të drejtë në një vend kaq të vogël si Shqipëria. Në këtë kuadër, Komisioni i Venecias i rekomandon legjislatorit shqiptar që të rishikojë/thjeshtoje skemën e propozuar të institucioneve, dhe të vendosë nëse numri i organeve që rregullojnë gjyqësorin mund të reduktohet. (parg. 65, 66 dhe 137)
13) Komisioni i Venecias evidenton faktin se krijimi i organeve të reja kushtetuese do të përfundojë automatikisht mandatin e organeve ekzistuese, për shembull Inspektoratit tashmë ekzistuese në Ministrinë e Drejtësisë, i cili merret me inspektimet brenda gjyqësori, si dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP). Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, kjo eshte pozitive, në mënyrë që të shmangen paralelizmi dhe është më mirë që të mos ketë organe të ndryshme me funksione të ngjashme apo të mbivendosura. (parg. 67)
14) Komisioni i Venecias është shprehur se krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi komplikon strukturën e sistemit gjyqësor dhe ka për qëllim reduktimin e lirisë së zgjedhjes së organeve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit. Përbërja e këtij trupi duhet të shqyrtohet më nga afër. Në sistemin e propozuar të përbërjes së KED, një trupë e vogël elitë, është vendosur në një pozitë shumë të fuqishme. Në këtë rast, është ngritur edhe shqetësimi që përbërja rrit rrezikun e qasjes korporatiste. (parg. 69)
15) Komisioni i Venecias vlerëson se prezenca e Ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm në Tribunalin Disiplinor është problematike. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias ka vlerësuar si të papërshtatshme përbërjen e Tribunalit Disiplinor, duke evidentuar që pjesa dërrmuese e anëtarëve të tij janë në konflikt të hapur interesi. (parg. 71 dhe 72)
16) Komisioni i Venecias vlereson se krijimi i një Inspektorati të Pavarur të Drejtësisë duket nje zhvillim pozitiv. Mirepo, sipas Komisionit të Venecias, përbërja e këtij organi rrit rrezikun e qasjes korporatiste në rastin e përgjegjësisë dhe inspektimeve disiplinore. (parg. 75)
17) Komisioni i Venecias thekson se prezenca e Ministrit të Drejtësisë në organe të ndryshme disiplinore krijon potencial për konflikt interesi. Sipas Komisionit, nëse Ministri i Drejtësisë ka kompetencë për të filluar një procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve/prokurorëve, atëherë ai nuk duhet të marrë pjesë në mbledhjet e organeve që marrin vendimin për masën disiplinore, qoftë edhe si vëzhgues. Draft amendamentet parashikojnë edhe mundësinë e Ministrit që të shqyrtojë apelimin e masës disiplinore të dhënë, edhe pse vetë Ministri mund të ketë inicuar një inspektim ndaj vetë Inspektoratit, dhe kjo sipas Komisionit të Venecias është e papërshtatshme dhe duhet të ndryshohet. (parg. 80)
18) Komisioni i Venecias vlerëson si shumë të papërshtatshme edhe parashikimet që i japim Ministrit të Drejtësisë kompetencën për të bërë ankesa ndaj anëtarëve të KLGJ dhe KLP, apo për të kryer "inspektime" në lidhje me anëtarët e Inspektoratit. Në tërësi, propozohet të rishikohet roli i Ministrit të Drejtësisë, në funksion të shmangies së konfliktit të interesit dhe presionit të mundshëm mbi organet e pavarura të sistemit gjyqësor. (parg. 81 dhe 82)
19) Komisioni i Vencias vlerëson se Kushtetuta duhet të specifikojë qartë se cfarë lloj “pavarësie” do të gëzojë organi i prokurorisë. (parg. 84)
20) Komisioni i Venecias mirëpret përfshirjen në Kushtetutë të kriterit të “përfundimit të Shkollës së Magjistraturës” për emërimin si prokuror. (parg. 86)
21) Komisioni i Venecias vlerëson se prokurorët e SPAK të gëzojnë të paktën të njëjtën status dhe pavarësi si edhe prokurorët e zakonshëm. Kushtetuta duhet të sqarojë lidhjen mes prokurorëve të Strukturës Speciale Antikorrupsion dhe Prokurorisë së Përgjithshme. (parg. 89)
22) Komisioni i Venecias evidenton se nuk është i qartë statusi i prokurorëve të SPAK dhe garancitë për riemërimin e tyre në detyrë pas përfundimit të mandatit. Nga ana tjetër, ngrihet pikëpyetja nëse metoda e emërimit të prokurorëve të SPAK aplikohet edhe për emërimin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Sipas Komisionit të Venecias, nuk ka asnjë dispozitë të veçantë në lidhje me emërimin dhe rolin e drejtuesit të SPAK, pavarësisht rëndësisë padyshim të rëndësishëm të funksioneve të tij / saj. Gjithashtu, Komisioni i Venecias shprehet se është e paqartë se pse verifikimi i vazhdueshëm i pasurive dhe telekomunikacionit, aplikohet vetëm për prokurorët e SPAK. (parg. 90 dhe 91)
23) Komisioni i Venecias evidenton se është parashikuar një dispozitë për kryerjen e hetimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimeve, nën drejtimin e SPAK. Që kjo të funksionojë është e nevojshme që vetë BKH të mos i nënshtrohet drejtimit të jashtëm dhe roli/kompetencat e saj të jenë të specifikuara shkurtimisht në Kushtetutë. (parg 90)
24) Komisioni i Venecias ka evidentuar disa anomali në dispozitën që parashikon emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Komisioni i Venecias shprehet se është i paqartë se pse kriteret e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm janë të ndryshme nga kriteret e emërimit të gjyqtarëve. Për më tepër, nuk është e qartë nëse KLP është i detyruar të propozojë më shumë se një kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend. Ndoshta, kjo dispozitë mund të përcaktojë se procedura e zgjedhjes duhet të jetë transparente, e bazuar në një thirrje të hapur për kandidatët, dhe se disa kandidatë alternative, renditur nga KLP, duhet t'i paraqiten Kuvendit për votim. Së fundi, ndërsa emërimi parashikohet të jetë me shumicë të cilësuar prej 3/5 e Kuvendit, amendamentet nuk parashikojnë asnjë mekanizëm anti-bllokimi nëse kjo shumicë nuk arrihet. (parg. 92 dhe 93)
25) Lidhur me ndërprerjen e mandatit të anëtarëve ekzistues të KLD, Komisioni i Venecias ka thesuar se në kontekstin specifik shqiptar, duke pasur parasysh ristrukturimin radikal të Këshillit dhe delegimin e kompetencave të konsiderueshme shtesë, kjo situatë mund të jetë e ndryshme ndoshta nga situata që Komisioni i Venecias kritikoi në propozimin për ndërprerjen e hershme të mandatit të Këshillit Gjyqësor në Gjeorgji, ku e kosniderojë këtë ndërprerje mandati si një ndërhyrje në pushtetin gjyqësor dhe një përpjekje për të arritur, nën pretekstin e një reforme, një përtëritje të plotë të përbërjes së Këshillit Gjyqësor pas zgjedhjeve parlamentare. (parg. 95)
26) Komisioni i Venecias shprehet se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, nuk duhet domosdoshmërisht të ndërpritet, dhe se vijimi i ushtrimit të punës deri në përfundimin e mandatit të tij është e pranueshme. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias e vlerëson të cuditshëm që të miratohet një parashikim kushtetues që ish-Prokurori i Përgjithshëm të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit. (parg. 96)
27) Komisioni i Venecias evidenton se ka një konsensus të gjerë politik dhe publik se niveli i korrupsionit në sistemin gjyqësor është i lartë. Pyetja është nëse ky konsensus i gjerë krijon një bazë të mjaftueshme për t’i nënshtruar procesit të rivlerësimit të gjithë gjyqtarë (duke përfshirë edhe ato të ndershëm), pavarësisht nga rrethanat specifike të secilit gjyqtar individual. Kjo është një çështje e domosdoshmërisë politike dhe Komisioni i Venecias nuk është në gjendje të shprehet mbi të. Në cdo rast, duhet të mbajë në konsideratë, se zgjidhje të tillë radikale janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin. (parg. 98)
28) Data e përfundimit të procesit të rivlerësimit është e paqartë. Komisioni i Veencias vëren se mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) përfundon më 31 Dhjetor 2019. Megjithatë, amendamentet parashikojnë që mandati i KPK mund të zgjatet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi. Kjo normë sipas Komisionit të Venecias është potencialisht e rrezikshme, sepse krijon rrezik për ta transformuar procesin e riverifikimit në një proces de facto të përhershëm, paralel me mekanizmat e zakonshëm të llogaridhënies. Nga ana tjetër, mundësia e zgjatjes së mandatit mund të ndikojë në pavarësinë e komisionerëve. (parg. 102)
29) Është e paqartë nëse kufizimi i dispozitave aktuale kushtetuese do të aplikohet vetëm për kohëzgjatjen e dispozitave kalimtare, dhe nëse këto dispozita kalimtare do të zbatohen për aq kohë sa vetë kohëzgjatja e mandatit të KPK. Komisioni vlerëson se parashikimi i amendamenteve që ndalojnë Gjykatën Kushtetuese të vlerësojë një ligj që miraton ndryshime në Kushtetutë, është i lidhur pikërisht me moscënimin e dispozitave tranzitore të parashikuara. Megjithatë, pozita e Gjykatës Kushtetuese është e paqartë, sepse dispozitat kushtetuese në lidhje me jetën private, barra e provës, etj., nuk janë shfuqizuar formalisht dhe ato mbeten në tekstin e Kushtetutës dhe, sipas mendimit të Komisionit, duhet të zbatohen edhe për gjyqtarët, si dhe, madje edhe në rastin e kufizimeve të paraqitura nga dispozitat kalimtare për qëllimet e ushtrimit të procesit të rivlerësimit. (parg. 104 dhe 105)
30) Edhe pse në pamje të parë Komisioni i Venecias nuk shikon cënim të të drejtës për një proces të rregullt ligjor, në rast se të gjithë gjyqtarët në mënyrë të barabratë i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, përsëri ai evidenton se nuk përjashtohet mundësia që procedura e rivlerësimit të keqpërdoret në praktikë në funksion të ndikimit tek gjyqtarët për cështje të vecanta. (parg. 107)
31) Komisioni i Venecias shprehet se potencialisht neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut aplikohet edhe në rastin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarëve. Në këtë kontekst, amendamentet kushtetuese duhet të supozojnë që neni 6 i KEDNJ-së është I zbatueshëm edhe në procedurën e rivlerësimit të gjyqtarëve. Në këtë rast mungesa e ankimit në rrugë gjyqësore ndaj vendimit të KPK mund të jetë problematike. Përsa i përket Komisionit të Venecias, ai tradicionalisht ka qenë në favor të parashikimit të mundësisë së ankimit në rrugë gjyqësore kundër vendimeve që përcaktojnë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve. Duke qenë se të gjitha gjykatat do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, ndoshta, një zgjidhje e mundshme në këtë situatë do të ishte që e drejta e ankimit të njihej në Gjykatën e Lartë, pasi kjo gjykatë t’i jetë nënshtruar vetë procesit të rivlerësimit. (parg. 115 dhe 116)
32) Komisioni i Apelimit që shqyrton ankimet ndaj vendimeve të KPK duhet të ketë karakteristika të njëjta me gjyqtarët dhe të garantojë të drejtën për një gjykim të drejtë për gjyqtarët e shkarkuar nga detyra, në përputhje me nenin 6 të KEDNJ-së. (parg. 117)
33) Komisioni i Venecias nuk e vlerëson si problematik faktin që gjyqtarët dhe prokurorët do të kenë barrën e provës për të provuar pasurinë e tyre dhe nëse ato nuk arrijnë të provojnë do të prezumohen sit ë korruptuar dhe do të largohen nga detyra. (parg. 121)
34) Komisioni i Venecias shprehet se nuk është e qartë se kush person konsiderohet si “një anëtar i krimit të organizuar” dhe se cfarë nënkuptohet me “kontakte të rregullta dhe të papërshtatshme”. Është e paqartë nëse KPK do të kategorizojë personat “si anëtar të krimit të organizuar”, apo kjo do të përcaktohet mbi bazën e të dhënave të mëparshme në Shqipëri apo jashtë vendit. (parg. 122)
35) Vlerësimi i punës që ka bërë deri më tani gjyqtari/prokurori duket të jetë kriteri më problematik, sepse nëse KPK konstaton se vendimet e gjyqtarit/prokurorit janë nën-standadet e kërkuara, cfarë do të bëhet me të gjitha vendimet finale të dhëna prej tij? Është e qartë se një vlerësim I tillë nuk duhet të cojë në një rihapje të gjerë të cështjeve gjyqësore të përfunduara. Vetëm fakti se vendimi është marrë nga një gjyqtar i shkarkuar për mungesë “aftësie” nuk duhet të jetë bazë e mjaftueshme për të rihapur automatikisht një cështje. Kërkuesi duhet të tregojë në mënyrë bindëse se ka qenë një gabim thekbësor dhe serioz nëse kërkon rihapjen e cështjes, dhe më i fortë se parimi i sigurisë juridike. (parg. 123)
36) Komisioni i Venecias vlerëson se struktura e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është e komplikuar dhe duhet të thjeshtohet. Metoda e përzgjedhjes së kandidatëve nga tre të pestat e Kuvendit, me propozim të Avokatit të Popullit dhe pas një thirrje publike për kandidatët duket e arsyeshme në teori. Megjithatë, duke pasur parasysh se shumica e tanishme zotëron tri të pestat e votave në Kuvend, do të ishte më e përshtatshme për t’i dhënë fuqinë propozuese një organi të pavarur ose një zyrtar i cili nuk është në mënyrë të qartë i të njëjtën ngjyrë politike me shumicën e tanishme qeveritare. Nga ana tjetër, amendamentet kushtetuese duhet të ofrojnë një formë tjetër për të kontrolluar dhe siguruar përgjegjëshmërinë e anëtarëve të KPK. Përbërja e Komisioneve të Pavarura të Kualifikimit dhe statusi i anëtarëve të tyre duhet të garantojë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre. (parg. 126, 127 dhe 128)
37) Komisioni i Venecias edhe pse e vlerëson të pazakontë ngritjen e një Misioni Ndërkombëtar Monitorimi, i cili varet nga vullneti i organizatave ndërkombëtare dhe jo nga vullneti i organeve demokratike të bredshme, specifikon se përsakohë ekziston një mirëkuptim politik i partnerëve ndërkombëtar në vend, një zgjidhje e tillë e pazakontë mund të konsiderohet e pranueshme. Ndoshta, kompetenca e emërimit të tyre duhet t’i takojë një prej organeve kushtetuese, për shembull Presidentin, ndërsa kandidatët mund të propozohen nga një grup i "partnerëve ndërkombëtarë", koordinuar nga Bashkimi Evropian. Mandati i tyre duhet të jetë i njëjtë me mandatin e KPK. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias konstaton se fusha e kompetencave të vëzhguesve ndërkombëtar është e paqartë dhe duhet të rishikohet. (parg. 130, 131, 132 dhe 134)
Në përfundim Komisioni i Venecias shprehu mbështetjen e tij për përpjekjet e autoriteteve shqiptare që synojnë reformimin e plotë të sistemit gjyqësor shqiptar. Reforma të tilla janë të nevojshme të kryhen urgjentisht, dhe situata kritike në këtë fushë justifikon zgjidhje radikale. Draft Amandamentet paraqesin një bazë solide për punë të mëtejshme në këtë drejtim; por sic u tha edhe më lartë, propozimet duhet të thjeshtohen, dhe në disa raste duhen sqaruar. Ndërkohë elemente të caktuara duhet të rregullohet me një ligj organik ose nga ligjet e zakonshme. (parg. 136)
Ky draft Opinion i brendshëm do të shqyrtohej në mbledhjen e Komisionit të Venecias të datës 18 Dhejtor 2015. Në mbledhje ishin ftuar vetëm ekspertët e mazhorancës. Nënkryetari i Komisionit z. Halimi, i kërkoi zyrtarisht Presidentit të Komisionit të Venecias që të pranishëm në mbledhje të ishin edhe dy ekspertët e opozitës. Kjo kërkesë u pranua nga Komisioni i Venecias dhe në mbledhjen e datës 18 Dhjetor 2015 ishin të pranishëm në seancë plenare në Venecia edhe ekspertët e opozites Enkelejed Alibeaj dhe Gazment Bardhi.
Gjatë seancës plenare, pas prezantimit të draft Opinionit nga raporterët e Komisionit të Venecias, e morën fjalën ekspertët e mazhorancës, të cilët falenderuan për bashkëpunimin Komisonin e Venecias dhe garantuan se do të punojnë intensivisht për të reflektuar vërejtjet e bëra në Opinion. Më pas, fjalën e morën ekspertët e opozitës të cilët në mënyrë të përmbledhur evidentuan problematikat kryesore që paraqet draft i amendamenteve kushtetuese dhe cështjet që duhet të kishte në vëmendjen të posacme Komisioni i Venecias. Gjithashtu, u theksua edhe mbështetja që opozita jep për realizimin e Reformës në Drejtësi, por që ajo të jetë reale dhe afatgjatë, me fokus garantimin e pavarësisë dhe luftën ndaj korrupsionit.
Presidenti i Komisionit të Venecias pasi shprehu mendimin e tij se ka ende shumë punë përpara për përmbylljen e procesit të amendimeve kushtetuese, duke e vlerësuar draftin e paraqitur nga mazhoranca vetëm fillimin e punës, i bëri thirrje palëve që të ndërtojnë një proces të ngjashëm me procesin konsensual të miratimit të legjislacionit për dekriminaliizmin.
Pas disa diskutimeve parimore të 3 anëtarëve të Komisionit të Venecias, ku ra në sy kritika e përfaqësuesit të Hollandës që shprehu habinë se përse raporterët kanë qënë kaq të butë në Opinionin e tyre, ndërkohë që drafti ka probleme serioze, vecanërisht në pjesën e procesit të rivlerësimit. Në përfundim, Komisioni i Venecias miratoi Opinionin e Brendshëm, të cilin e gjeni bashkëlidhur, duke theksuar se ky është vetëm një opinion pune i brendshëm. Pasi Draft Amendamentet të rishikohen në përputhje me rekomandimet e dhënë në këtë dokument, Komisioni i Venecias do të përgatisë Opinionin përfundimtar bazuar në tekstin e rishikuar të amendamenteve. Gjatë sesionit, Presidenti i Komisionit të Venecias theksoi se raporterët e Komisionit të Venecias do të rivijnë në Shqipëri në muajin Janar, dhe se Opinioni final pritet të miratohet në Mars, pasi Shqipëria të ketë ridërguar një draft të rishikuar të amendamenteve.
Opinioni i brendshëm i Komisionit të venecias është publikuar në faqen e tij zyrtare në linkun:
KOHA JONË SONDAZH

