Edhe sa vdekje në lule të rinisë? 19-vjeçari me 5 gjoba në 1 vit, kush duhet dënuar?
Sërish duke vënë në pikëpyetje, nëse është faji i sistemit apo i familjes, tragjedia me tre të vdekur. Fjala është për aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmë në TEG, ku makina fluturoi nga mbikalimi i Saukut. Dhimbja për jetët e humbura është e madhe. Tre familje janë në zi dhe me plagë në zemrat e tyre për ikjet e parakohshme të të dashurve të tyre në lule të rinisë.
I ndjeri Klevis Ruçaj, 19-vjeçari që shkaktoi aksidentin, kishte pak më shumë se 1 vit që kishte marrë patentën. Ai në tentativë për të hyrë në rreth rrotullim ka humbur drejtimin, duke goditur barrierën e anësore dhe tejkaluar tej për tej, për të përfunduar në nënkalim. Problemi është se 19-vjeçari ka marrë në këto muaj 5 gjoba për 5 shkelje të ndryshme.
Gjobat
1-Për parakalim dhe veprime të ndaluara më 6 shtator
2-Nuk zbatoi sinjalistikën 7 tetor 2022
3-Gjobitur për shpejtësi më 15 nëntor 2022
4-Kapur me celular në drejtimin e mjetit më 9 dhjetor 2022
5-Pa siguracion dhe nuk zbatoi sinjalistikën më 27 janar 2022
Sipas policisë, makina ka qenë me drejtim lëvizje nga Farka për te rrethrrotullimi pranë një qendre tregtare. Për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, mjeti nuk u fut në rrethrrotullim, por u përplas me barrierat anësore duke i çarë ato e duke përfunduar disa metra më poshtë, ku u përplas me një tjetër makine që po udhëtonte drejt Elbasanit. Si pasojë e përplasjes tre pasagjerët në automjetin tjetër Honda mbetën të plagosur. Dy vajzat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa pas disa orësh betejë për jetën në spital ndërroi jetë edhe shoferi 19-vjeçar.
Nga matjet e kryera në terren nga ekspertët rezultoi se Audi udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i ka pasur vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos pasur asnjë mundësi për shmangien e aksidentit.
Rrugët janë kthyer në një makth. Fatkeqësisht pas çdo aksidenti tragjik, qeveria rrit gjobat, por jo sigurinë. Rritet vëmendja dhe bëhen emisione televizive, flasin ekspertë, por sërish shoferët nuk ndërgjegjësohen që të qarkullojnë sipas rregullave. Pse rrugët tona përgjaken çdo ditë? Mungesë sinjalistike, rrethrrotullime të papritura, rrugë pa ndriçim, mbikalime të rrezikshme dhe mbi 64 pika të zeza, janë disa nga shkaqet.
Por një problem edhe më i madh është FAMILJA. Si mundet që një 19-vjeçar të lëvizi me makina luksoze? A nuk mund të kontrollet adrenalina e një të riu, që shpejtësinë e reklamonte në rrjete sociale? Familja është ajo që duhet të kontrollojë dëshirat e kësaj rinie, që marrin diçka falas, që nga jeta e shtrenjtë që bëjnë, deri tek makinat luksoze që janë si një kurth vrasës. Rrjete social Tik-Tok në shumë vende po mbyllet, edhe në Shqipëri po mendohet. Rinia ka adrenalinë, por jo të kalojë në rrezik vdekje, duke filmuar live shpejtësinë tmerrësisht kundër normave, dhe nga një brez i ri ky lloj ”sporti” të cilësohet si normal.
/Redjon Shtylla-Koha Jonë/