Edi Paloka: Rikthehemi sot në parlament, por kërkojmë miratimin e rezolutës
Lamtumirë bojkot! Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, që u zhvillua paraditen e sotme, u shpreh se vendimi i Opozitës për të hyrë në parlament është vendosur, por kërkohet të votohet në fillim rezoluta dhe projektligjet e rëndësishme të shtyhen në seancën tjetër. – “Hyrja në parlament është bërë pas një bojkoti të gjatë, pas negociatave të gjata mes palëve dhe me ndërhyrje dhe monitorimin e ndërkombëtarve. Pra, besoj se kemi të bëjmë me një ngjarje të jashtëzakonshme sot dhe për këtë arsye kërkuam që Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë mënyrën se si do të proçedojmë, pasi është e logjikshme që fillimisht të trajtohet rezoluta e përbashkët në parlament pasi është kjo rezolutë që na rikthen në parlament. Pa u miratuar rezoluta nuk do të ishte e logjikshme që ne të hynim në parlament”, tha Paloka, i cili shtoi se në këtë seancë nuk duhet të ketë debate politike, por kërkohet miratimi i marrëveshjes së arritur. – “Duam një proçeduarë normale, pasi dhe mbrëmë negocitorët kanë rënë dakort që në seancë plenare do të ketë vetëm dy marrëveshje ndërkombëtare, pra që nuk ka debat politik dhe që rezoluta të miratohet e para dhe pastaj marrëveshjet që nuk kanë kundërshtim nga opozita. Rendi i ditës është përcaktuar sot dhe vjen me disa projektligje të rëndësishme siç është ai i marrjes së borxhit nga qeveria pa marrë lejen e parlamentit dhe nuk është normale se jemi në situatë të veçantë dhe ne kërkojmë që këto projektligje të shtyhen në seancën tjetër dhe të miratohet rezolura, por z.Ruçi nuk e pranoi deri në këtë moment të paktën dhe ndjej keqardhje që sot fillohet me metoda të tilla”. Ai e përfundoi deklaratën e tij duke u shprehur: “Nuk do të duam që kjo maxhorancë të këtë bërë këtë akt sa për të kaluar radhën.” Pas 6 muajsh bojkot, PD-ja rikthehet në normalitet, duke zënë vendet e lëna bosh në sallën e Kuvendit.